Rritja e nacionalizmit serb kërcënon stabilitetin në Ballkan
Lexohet për: 8 min.
96121648704252
2 vite më parë
Linku u kopjua

Tensionet dhe nacionalizmi serb në rritje në Kosovë, të cilën Serbia e konsideron si territor të saj dhe nuk e njeh pavarësinë e saj të shpallur në vitin 2008, përbëjnë kërcënim për të ardhmen e afërt të Ballkanit. Në sfondin e nacionalizmit sllav të përhapur në Ballkan qëndron ideja e pansllavizmit që doli në pah në shekullin e 19-të dhe synon themelimin e një shteti të madh sllav që do të përfshinte të gjithë sllavët.

Akademiku Dr. Fatih Fuat Tuncer nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit "?stanbul Geli?im" dhe analisti politik Ibrahim Delic, për Anadolu Agency (AA) vlerësuan ndikimin e pansllavizmit dhe sfondin historik të përleshjeve në tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Tuncer, duke theksuar se me shpërbërjen e Jugosllavisë, serbët e shohin veten si pasardhës të natyrshëm të këtij vendi, kujtoi se nga Jugosllavia kanë dalë 6 shtete federale dhe kufiri i Serbisë është vizatuar duke inkuadruar brenda edhe Kosovën.

Ai vuri në dukje se fakti se vendbanimet dhe kishat më të vjetra serbe në Ballkan ndodhen në Kosovë, ka rritur diskursin fetar dhe racist të nacionalistëve serbë, ndërsa theksoi se Kosova është e patjetërsueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët.

Akademiku turk theksoi se serbët Luftën e Kosovës të vitit 1389 mes Shtetit Osman dhe Principatës Serbe e kanë bërë legjendë në aspektin fetar dhe kombëtar, duke shtuar se besojnë që princi serb Lazar Hrebeljanoviq i vrarë nga ushtarë osmanë, është ngritur në gradën e shenjtorit.

Duke rikujtuar fjalimin e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq para qindramijëra personave në vitin 1989, me rastin e 600-vjetorit të Luftës së Kosovës, Tuncer tha se:

"Me këtë fjalim në fakt, filloi procesi i konfliktit dhe luftës që do të ndikonte në të gjithë Jugosllavinë duke filluar nga Kosova. Fjalimi i Millosheviqit, me sloganin 'tashmë ka ardhur koha për t'u hakmarrë për Kosovën', sot ka rezultuar me humbje të Kosovës për serbët, por shenjtërimi dhe shndërrimi i kësaj në një çështje krenarie, përbën bazën e problemeve të sotme. Serbët e Kosovës për Serbinë janë ndër çështjet më të rëndësishme të identitetit kombëtar".

"Një konflikt në Kosovë nuk do të kufizohet mes Kosovës dhe Serbisë"

Dr. Tuncer tërhoqi vëmendjen se në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur pansllavizmi sërish u rrit, proceset konfliktuoze nuk janë zgjidhur, por vetëm janë shtyrë.

"Tensioni mes Serbisë dhe Kosovës sot është lidhur me atë se proceset konfliktuoze në Ballkan menjëherë pas Luftës së Ftohtë nuk janë zgjidhur por janë ngrirë. Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova në këtë drejtim janë shtetet kombëtare të krijuara nga problemet e shtyra që dukeshin sikur të zgjidhura", shprehet ai.

Në lidhje me strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) për hapjen e rrugës së anëtarësimit për Serbinë me kushtin e njohjes së Kosovës me qëllim të thyerjes së ndikimit të Rusisë mbi Serbinë, Tuncer thotë:

"BE-ja në vitin 2011 e filloi Procesin e Brukselit mes palëve për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe uljen e tensioneve në rajon. Ky proces parashikonte uljen e tensioneve edhe zgjidhjen problemeve teknike dhe politike mes dy vendeve pa u shndërruar në konflikt në tryezën e diplomacisë. Në këtë mënyrë Serbisë do t'i hapej rruga e anëtarësimit në BE, si dhe me zhvillimin e marrëdhënieve të këtij vendi me Perëndimin do të pakësohej sadopak ndikimi rus në rajon. Për Kosovën, nga ana tjetër, do të kursehej kohë për vendosjen e mekanizmave shtetërorë duke përdorur energjinë e shtetit të sapokrijuar dhe ndoshta në fund të procesit Serbia do të hiqte pengesën ndaj Kosovës për t'u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara".

Tuncer theksoi se procesi i Serbisë për anëtarësim në BE me tensionet në rritje në rajon është bllokuar.

"Procesi hyri në qorrsokak pas vendimit për njohjen e ndërsjellë të targave mes dy vendeve dhe mospërdorimit të letërnjoftimeve dhe targave të shtetit të Kosovës nga ana e serbëve të Kosovës, të njohur edhe si 'kriza e targave'. Një çështje tjetër është edhe krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe vendosja e kutive të votimit në Kosovë për zgjedhjet e mbajtura në Serbi. Të gjitha këto probleme në Kosovë deri në të kaluarën e afërm edhe pse ekzistonin, nuk ngërthenin mundësinë e konfliktit ashtu si sot", u shpreh ai.

Sipas tij, pasi Rusia shpalli luftë ndaj Ukrainës, afrimi i serbëve ndaj aleatëve të tyre natyrore, rusëve, gjithashtu ka ndikuar negativisht në proces, ndërsa mercenarët rusë Wagner kanë rritur ndikimin në kufirin Kosovë-Serbi dhe hapja e kartës sllave nga Rusia në Ballkan si kundërpërgjigje ndaj mbështetjes së Perëndimit ndaj Ukrainës mund të tronditë thellë gjithë Evropën.

Ai potencoi se Rusia mbështet lëvizjet pansllaviste në Ballkan.

"Çmimi i politikës pansllaviste që Serbia ndoqi në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë ishte i rëndë. Në fillim në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci dhe më pas në Kosovë ndodhën masakra të mëdha", theksoi akademiku turk.

Tuncer vuri në dukje se pansllavizmi ka nxitur nacionalizmin ekstrem në vendet e tjera të Ballkanit, duke vlerësuar: "Një konflikt në Kosovë nuk do të kufizohet mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ndikojë edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Me përfshirjen e Kroacisë dhe Shqipërisë në proces, mund të shkaktojë një valë të re të luftës në mes të Evropës. Nuk mund të themi se lidershipi i sotëm i Serbisë është shumë i vullnetshëm që ky proces të shfaqet, por ndjenja e të qenit i ngecur lidhur me çështjen e Kosovës mund të rigjallërojë pansllavizmin edhe me mbështetjen e Rusisë".

"Serbia e konsideron Kosovën si tokë e saj"

Gazetari Delic, nga ana e tij, duke theksuar se Serbia e konsideron Kosovën si tokë e saj, tha se mitet e krijuara nga intelektualët serbë për gjenerata me radhë, kanë shkaktuar rritjen e tensionit në rajon.

"Serbët, për shkak të miteve të krijuara për gjenerata me radhë, nuk mund të përballen me faktin se Kosova është një shtet më vete", tha Delic.

Duke shpjeguar se serbët nuk pranojnë shenjat që përfaqësojnë shtetin e Kosovës, ai tha se për shkak të masave që Kosova ka marrë ndaj Serbisë në bazë të reciprocitetit, është rritur tensioni mes dy vendeve.

Sipas tij, mosmarrëveshja në veri të Kosovës është nisur nga Serbia, ndërsa theksoi se nacionalistët serbë u besojnë shumë legjendave popullore dhe, duke i shndërruar në simbol çështjet historike, kërkojnë të drejta në rajon.

"Nacionalistët serbë besojnë se raca e tyre është krijuar në Kosovë. Prandaj mendojnë se Kosova u është premtuar atyre. Disa intelektualë serbë gjithashtu e nxisin këtë mit racist" vlerësoi Delic, duke shtuar se Lufta e Kosovës përbën bazën e nacionalizmit serb.

Delic tha se nacionalizmi serb "i shikon prej lartë" popujt e tjerë në Ballkan dhe zbaton diskriminim, duke theksuar se i mobilizon masat në Mal të Zi, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut, vende që janë nën sferat e ndikimit të serbëve.

Sipas tij, nacionalizmi serb, i cili ka vazhduar duke u rritur me shekuj, nuk do të përfundojë, ndërsa tërhoqi vëmendjen se në Ballkan gati në çdo 50 vjet ka ndodhur luftë.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë shënuan rritje pasi në veri të Kosovës u vendosën barrikada më 10 dhjetor nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024