Temperatura e lartë, dhimbja e fytit, kollitja, vjellja dhe lodhja janë disa nga simptomat që e karakterizojnë gripin sezonal, për çka është rritur edhe fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Kështu bënë të ditur mjekja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Violeta Haxhija, e cila thotë se personat më të rrezikuar nga gripi sezonal janë fëmijët, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, me hipertension, si dhe gratë shtatzëna.
Mjekja Haxhija tha se shenjat e rrezikut për të rriturit nga ky grip, janë dhimbjet e gjoksit, kraharorit, pengesa në frymëmarrje dhe konfuzion, për çka u shpreh se menjëherë duhet të merret trajtim mjekësor.
Lidhur me furnizimin e listës esenciale të barnave, ajo tha se qëndrojnë mirë.
Ekspertja e shëndetësisë, Violeta Haxhija ndau disa këshilla për qytetarët që të parandalojnë virusin e gripit sezonal, derisa tha se duhet bërë ajrosja e dhomës, marrja e ushqimeve me vitaminë C dhe bërja e aktiviteteve fizike.
Ndërkaq, për personat të cilët veç janë prekur nga simptomat e gripit, mjekja këshilloi që të qëndrojnë në shtëpi, të bëjnë ajrosjen e dhomës dhe të kolliten apo teshtitjen në mënyrë të kujdesshme, që të mos përhapet virusin./Z.Zeneli/