RrGK me rekomandime për heqjen e taksave në produktet menstruale
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot lanson fushatën përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale.
Sipas RrGK-së, aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.
“Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm. Përmes kësaj fushate, RrGK do t’i informojë qytetarët dhe institucionet për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara [burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës, tremujori i parë, viti 2021]. Fushata, ndër të tjerash, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi. Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Ëomen (EKË), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë”, thuhet në komunikatë.
Ndër rekomandimet kryesore të RrGK-së, është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi.
“Sipas analizës gjinore të RrGK-së, kjo do të shkojë në të mirën e familjeve me të ardhura të ulëta si dhe do të kontribuojë në arritjen e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore, duke e larguar këtë taksë diskriminuese për gratë. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor, menaxhimin të higjienës personale, arsimim si dhe në punësim. Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasiqë në këtë mënyrë do të zbritej çmimi e tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore. Përveç këtij dokumenti të rëndësishëm që së shpejti do e publikojmë në faqen tonë ëëë.ëomensnetëork.org, fushata do të zhvillohet edhe në rrjete sociale, ku përmes ilustrimeve do të paraqesim rekomandimet tona në të tri gjuhët; shqip, anglisht dhe serbisht. Kjo fushatë mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida)”, thuhet në komunikatë.