Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet E.E., pasi dyshohet për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘kanosja’.
Gjykata njofton se më 14 gusht, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, i pandehuri me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore.KOMUNIKATË PËR MEDIA
Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndim i lehtë trupor dhe kanosja
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Me datë 14 gusht, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme, i pandehuri me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, në atë mënyrë derisa e dëmtuara ishte kthyer në shtëpi, i pandehuri e kap për flokë dhe ia shtrëngon krahun duke e tërhequr zvarrë për flokë e për krahu e duke i thënë fjalë ofenduese “dil nga shtëpia” dhe vazhdon me ofendime, me të cilat veprime e dëmtuara pëson lëndime trupore të përshkruara sipas raporteve mjekësore
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në këtë fazë, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, dhe zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.