Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka akuzuar Bashkimin Evropian se po trajton Kosovën si jo-shtet. Sipas tij, BE-ja ka një qasje diskriminuese dhe jofer ndaj Kosovës në lidhje me kërkesën për procedim të draft-stautit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Përkitazi me këtë, Konjufca nënvizon se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja, është i papranueshëm, pasi i njëjti duhet të hartohet nga vet institucionet e Kosovës. Mirëpo, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, i quajtën si joserioze këto deklarata, pasi sipas tyre, qeveria fillimisht e kishte pranuar draft-stauttin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja vitin e kaluar.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, tha se BE-ja s’mundet t’i marrë kompetenca Kosovës për hartimin e draft-statutit të Asociacionit dhe dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Ai u shpreh i ashpër ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se qasja e tyre është diskriminuese ndaj Kosovës.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se deklaratat e Konjufcës për Asociacionin janë jo serioze, pasi i njëjti para 1 viti ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga BE-ja është modern dhe në përputhje me Kushtetutën.Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi pushtetin aktual se po mashtron qytetarët në lidhje me dialogun dhe Asociacionin. Këtë të fundit, ai tha se tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar gjatë këtij viti për themelim të Asociacionit.