Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka folur për ditët e para të punës nën drejtimin e trajnerit të ri të Napolit, Massimiliano Allegri, duke zbuluar edhe sinjalet e para taktike që po shfaqen gjatë fazës përgatitore në Dimaro.
Në një intervistë për Sky Sport, qendërmbrojtësi kosovar u shpreh i kënaqur me mënyrën se si po zhvillohet përgatitja. “Po punojmë mirë, si me top ashtu edhe pa top. Gjithçka po shkon mirë dhe shpresojmë ta përfundojmë sa më mirë këtë grumbullim. Mund të them se puna është e ngjashme në disa aspekte me të kaluarën, por me top është ndryshe. Duhet më shumë vëmendje në menaxhimin e topit dhe në gjetjen e zgjidhjeve. Janë dy mënyra të ndryshme pune”, deklaroi Rrahmani.
Rrahmani zbuloi gjithashtu se nga ajo që është parë në stërvitjet e para dhe ndeshjet e vogla mes lojtarëve, Napoli duket se po shkon drejt një sistemi me katër mbrojtës. “Nga ajo që kemi parë në ditët e para të stërvitjes dhe në ndeshjet e vogla, duket qartë se do të luajmë me katër mbrojtës”, tha ai.
Për shkak të dëmtimit të Alessandro Buongiornos dhe mungesës së përkohshme të Sam Beukemas, Rrahmani po stërvitet në qendër të mbrojtjes me Rafa Marin dhe Marianuccin, për të cilët pati fjalë vlerësuese. “Janë dy lojtarë të rinj dhe me cilësi. Rafa Marin tregoi vlerat e tij sezonin e kaluar. Sa u përket këshillave, tani kemi një trajner të ri që kërkon një mënyrë tjetër loje, ndaj është ende herët”, u shpreh ai.