Rrahmani e Korenica braktisin LVV-në, i bashkohen Koalicionit për Familjen AKR-PD
Lexohet për: 3 min.
Lista-e-Familjan-Eman-Rragmnai
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahamani dhe Visar Korenica kanë bërë të ditur se kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për t'iu bashkuar siç thanë Listës për Familje, të Aleancës Kosova e Re (AKR) së Behgjet Pacollit dhe Partisë së Drejtësisë (PD) të Ferid Aganit, në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Rrahmani në një konferencë për medie të martën, renditi disa nga arsyet që kanë braktisur LVV-në, ku ndër ta përmendi edhe disa dispozita të projekt- kodit civil.

Ai adresoi edhe kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, siç tha për dështim në arsim, ekonomi dhe shëndetësi.

“Po bashkohemi në një koalicion për familjen. Projekt-kodi civil që me disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton dhe legalizon fertilizimin dhe dhurim pa identitet të njohur që dërgon në incest dhe mos të flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për gjendjen civile madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familjen. Vazhdimi i ikjes nga vendi të të rinjve, punëtorëve profesionist dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën. Mosngritja e koeficientit në sektorin publik, paga e ulët minimale, vazhdimi i nepotizmit dhe shumë dukurive të tjera...Vazhdimi i mospërmirësimit në arsim, ekonomi dhe shëndetësi kanë qenë problemet kryesore që kanë vazhduar të vështirësojnë jetën e qytetarëve”, tha ai.

Rrahami theksoi se bashkëpunimi me AKR-në dhe PD-në, nuk është shkrirje në këto dy parti, por koalicion mbi kauzën e ruajtjes së familjes tradicionale.

Ai u shpreh i hapur që këtij koalicioni t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë, por siç tha të njëjtit duhet të mbështesin kauzën për familje.

Megjithëse bëri të ditur largimin nga LVV-ja, Rrahmani tha se do të mbështesin secilën iniciativë ligjore në Kuvend siç tha që është e dobishme për qytetarët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025