Roth i thotë Vuçiqit se është plotësisht i izoluar
Lexohet për: 4 min.
Michael Roth
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Michael Roth, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut Gjerman, iu drejtua presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe i tha se letra e politikanëve evropianë nuk ishte një konspiracion.

Roth ka shkruar në rrjetin social X, se Vuçiq është izoluar tërësisht.

“I nderuari president Aleksandar Vuçiq, ky nuk është as komplot dhe as fushatë socialiste. Jeni plotësisht të izoluar! 24 deputetë nga e gjithë Evropa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar Roth.

Më shumë se 20 politikanë të lartë evropianë, duke përfshirë krerët e komiteteve të politikës së jashtme të disa parlamenteve kombëtare, iu drejtuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metzola, që të niset një hetim mbi akuzat për mashtrim në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.

Letra pasoi seancën e mbrëmshme të Parlamentit Evropian, ku u diskutua edhe për parregullsitë zgjedhore në Serbi.

Situata në Serbi pas zgjedhjeve të dhjetorit do të jetë sërish temë e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian më 23 janar, dhe një rezolutë për këtë duhet të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian në fillim të shkurtit.

Mbrëmë Parlamenti Evropian kërkoi një hetim ndërkombëtar për mashtrimin zgjedhor në Serbi, duke kërkuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që të mos i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve derisa të përfundojnë hetimet.

Vladimir Bilchik, raportuesi special i PE-së për Serbinë, tha se hapësira publike në Serbi është e kapur nga interesat personale, si dhe se zgjedhjet e shpeshta dhe të parakohshme në Serbi shkaktojnë stres te njerëzit dhe pengojnë zbatimin e asaj që është e rëndësishme në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai shtoi se në ditën e votimit në Serbi kanë qenë të pranishëm edhe vëzhgues evropianë të zgjedhjeve dhe se është vërejtur se janë sjellë votues nga vende të tjera për të shtuar numrin e votuesve.

“Prandaj kërkojmë nga organet kompetente që ta hetojnë dhe të japin rezultatet”, theksoi ai.

Nuk ka demokraci pa zgjedhje të ndershme dhe të lira, tha deputeti i Partisë së Gjelbër, Tomas Vejc, dhe vlerësoi se nuk ishte kështu me zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Deputeti i PE Matjazh Nemec tha se ka frikë se anëtarësimi në BE “mund të mos jetë qëllimi i sinqertë, strategjik dhe përfundimtar i lidershipit serb.

“Balancimi i lidershipit serb, i cili sillet mes angazhimit në procesin e anëtarësimit duke hapur kapituj të rinj, nga njëra anë dhe përfshirjes së Serbisë në strukturat e inteligjencës së shteteve totalitare, nga ana tjetër, po bëhet mjaft i çuditshëm dhe seriozisht shqetësues”, tha Nemec.

Retorika e elitës politike, duke përfshirë manipulimet, shmangien e përgjegjësisë dhe indikacionet e shumta për parregullsi gjatë zgjedhjeve të dhjetorit, po e distancojnë më tej Serbinë nga vlerat e BE-së, shtoi ai.

Nemec theksoi se për parregullsi zgjedhore nuk flasin vetëm vëzhguesit ndërkombëtarë, por edhe organizata të shumta joqeveritare dhe votues në Serbi.

Komisionari evropian Didier Reynders tha se Komisioni pret nga autoritetet e Serbisë në mënyrë transparente të hetojnë parregullsitë e vërejtura në raportin e misionit vëzhgues, dhe pas miratimit të raportit përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR, të zbatojnë të gjitha rekomandimet para zgjedhjeve të reja.

Reynders tha se prioritetet e Serbisë në procesin e integrimit evropian janë harmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese ndaj Rusisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024