Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i ka falënderuar ekspertët ligjorë për raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, i cili u bë publik dje.
Në llogarinë e tij në “X”, Rohde shkruajti se në këtë raport ka një lajm të mirë dhe një të keq që kanë të bëjnë me konformitetin e sistemit juridik të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës.
“Ekspertët e përshkruajnë Kosovën si një demokraci funksionale dhe vlerësojnë kushtetutën e saj moderne me “garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit”. Por ata gjithashtu theksojnë kritikat 'të ashpra' ndaj përfaqësuesve dhe institucioneve gjyqësore nga politikanët në poste të larta”, theksoi Rohde.
Ai shtoi se dy rekomandimet e para të raportit për Kosovës për sundimin e ligjit janë respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Në fund, ai tha se raporti nxjerr një pamje të përzier.
“Në përgjithësi, raporti nxjerr një pamje të përzier, duke treguar standarde të larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë plotësisht. Është shumë e qartë për mua se zbatimi urgjent - siç kërkohet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar - është i nevojshëm për të avancuar me sukses ofertën për anëtarësim të Kosovës”, përfundoi Rohde.