Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar sot se do të ndihmojnë Telekom-in me 1 milion euro për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës.
Ajo ka theksuar se një gjë e tillë po planifikohet për javëve në vijim, ndërkohë që theksoi se Telekom-i është duke u këndellur.
Pasditen e së martës, ministrja e Ekonomisë ka vizituar Telekom-in dhe është takuar me ushtruesen e detyrës së kryeshefes, Burbuqe Hana.
Rizvanolli u shpreh se kjo ndërmarrje është në proces të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile.
Ajo ka thënë se Telekom-i po këndellet dhe shërbimet tani janë më të mira.
“Telekomi po këndellet edhe si kompani edhe si kolektiv i punëtorëve edhe si shërbim ndaj klientit. Menaxhimi me nikoqirllëk, angazhimi i secilës e secilit në krye me një menaxhment, i cili ka dalë nga vet radhët e Telekom-it, dialogu social brenda ndërmarrjes po na sjell perspektiva të mira në këtë ndërmarrje me rëndësi strategjike për vendin tonë dhe me rol të rëndësishëm edhe në sigurinë e vendit. Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga viti 2015, po flasim për një teknologji, për një sektor ku gjërat ndryshojnë brenda muajve nganjëherë”, ka thënë ajo.
“Gjatë vitit në vijim do të fillojë zbatimi i dy projekteve me rëndësi, e para migrimi nga kodi i Monakos në kodin që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit i ka dhënë Republikës së Kosovës. Vala do të bëhet e Kosovës, e jo e Monakos, përfundimisht dhe gjithashtu do të fillojë modernizimi i rrjetit. Që do të thotë që qytetarët shumë shpejt që nga marsi i vitit që po vjen do të fillojnë të ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekom-it, që është me të vërtetë një zhvillim tejet i rëndësishëm për Telekom-in si ndërmarrje dhe që tregon një të ardhme të bukur për Telekom-in, diçka e cila nuk ka qenë shumë e sigurt në vitet që i kemi lënë pas, mirëpo tani po fillon të bëhet gjithnjë më e besueshme dhe më e realizueshme”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ministrja e Ekonomisë ka deklaruar se Telekom-i ka paguar mbi 12 milionë euro tatim gjatë këtij viti.