Sot në varrezat në Shipol të Mitrovicës është rivarrosur Vehbi Zasella i rrëmbyer, zhdukur dhe vrarë nga forcat policore serbe më 31 mars 1999.
Lajmi është bërë i ditur nga Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në një postim në Facebook.Mbetjet e tij mortore janë gjetur dhe zhvarrosur, kohë më parë, bashkë me mbetjet mortore të shokut të tij të afërt, bashkëpunëtorit e kolegut në Kombinatin Trepça, Ahmet Strana, nga lokacioni i 'Varrezave të besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës' , pas një angazhimi ndërinstitucional të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Sektorit të Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe me mbështetjen edhe të mekanizmave tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe aktivistëve të palodhshëm të Shoqatës 'Zëri i Prindërve ' Mitrovicë.
Pas identifikimit përmes analizës së ADN-së, familja Zasella kishte vendosur që ceremonia e rivarrimit të organizohet sot, me mbështetjen e Shoqatës 'Zëri i Prindërve', Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Bashkësisë Islame.