Kongresmeni Keith Self, së bashku me kongresmenët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Kjo, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të kongresmenit Keith Self, synon të theksojë rëndësinë strategjike të këtij procesi.
“Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në rezolutë thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike paraqesin një rast të fortë për anëtarësim në NATO. Po ashtu, theksohet se, sipas njoftimit, në kushtet kur aktorë armiqësorë vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, anëtarësimi i Kosovës në aleancë do të shërbente si kundërpeshë për të dekurajuar këto veprime dhe për të parandaluar përshkallëzime të reja në Ballkan.Në dokument theksohet se katër vende anëtare të NATO-s—Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja—nuk e kanë njohur ende Kosovën. Duke qenë se NATO funksionon me konsensus, kjo situatë paraqet pengesë për përfshirjen e Kosovës në mekanizmat e anëtarësimit, përfshirë Partneritetin për Paqe dhe Planin e Veprimit për Anëtarësim.
Rezoluta u bën thirrje këtyre vendeve që të rishikojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është e domosdoshme për avancimin e saj drejt NATO-s dhe për mbylljen e një boshllëku strategjik në Evropën Juglindore.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kongresmenët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për paraqitjen e një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet integrimin e Kosovës në NATO.