Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e siguroi REL.
Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e konfirmuan vërtetësinë e propozimit.
Javën e kaluar, në margjinat e një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kanë marrë versionin e përditësuar të planit.
Burimet e REL-it thonë se, edhe pse versioni i ri ka ndryshime, ato nuk janë thelbësore dhe se elementet kryesore për marrëveshjen bazë, mbeten të njëjta.
Në dokument nënvizohet se nëse palët pajtohen me të, ato do të jenë të vetëdijshme se moscenimi i kufijve, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave janë kushtet bazë për paqe.
Aty, po ashtu, nënvizohet se të dyja palët do të kenë si pikënisje qëllimin dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht respektimin e pavarësisë, autonomisë, integritetit territorial dhe të së drejtës për vetëvendosje, si dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Po sipas tij, palët do t’i hapnin “misionet e përhershme” në selitë qeveritare të njëra-tjetrës dhe do të niseshin nga fakti se “asnjëra nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare”.
Në një pikë të propozimit përmendet edhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe aranzhimet për komunitetin serb në Kosovë.
Një nivel “i fortë” i mbrojtjes do të duhej t’i sigurohej Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, thuhet në propozim.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.
Ndonëse autoritetet në Serbi insistojnë në zbatimin e saj, ato në Kosovë thonë se nuk mund të formojnë asociacion njëetnik.
Sipas dokumentit, palët do të duhej të rrisnin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë: ekonominë, shkencën, teknologjinë, transportin, drejtësinë, postën dhe telekomin, shëndetësinë, kulturën, religjionin, sportin dhe mjedisin.
Dokumenti, në veçanti, përmend bashkëpunimin për çështjen e të pagjeturve nga lufta e viteve 1998/99 dhe të drejtat e personave të zhvendosur.
Në fund, parashihet edhe krijimi i komisioneve të përbashkëta për të monitoruar zbatimin e vetë propozimit të BE-së.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Në Kosovë thonë se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërsa në Serbi insistojnë në zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkuptojnë me të.
Më herët, zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se propozimi i BE-së, apo plani franko-gjerman, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta./REL