Një gjykatë norvegjeze refuzoi sot kërkesën për lirimin me kusht të vrasësit masiv Anders Bering Breivik dhe e urdhëroi atë të qëndrojë në burg.
Breivik, një neonazist antimysliman, vrau 77 njerëz në korrik 2011 në krimin më të keq në kohë paqeje në Norvegji.
“Rreziku i dhunës është real, dhe i barabartë me atë që ishte kur u dha vendimi i parë kundër Breivik”, tha Gjykata e Qarkut Telemark në një deklaratë, raporton Reuters.
Breivik (42) po vuan një dënim maksimal prej 21 vjetësh burg, i cili mund të zgjatet për një kohë të pacaktuar në Norvegji nëse personi i dënuar konsiderohet si një kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë.
Pas arrestimit, Breivik tha se nuk e konsideronte veten fajtor, sepse luftoi për qëllimin e drejtë të mbrojtjes së qytetërimit evropian.
Sipas tij, ai nuk i urrente të huajt aq shumë sa "tradhtarët" midis bashkatdhetarëve të tij dhe zgjodhi kampin në Utoja si shënjestër sepse shërbeu si "një vatër nga e cila u përhapën idetë e dëmshme të multikulturalizmit dhe socializmit", raportoi BBC.