Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar më 11 janar apelin e Isni Kilajt kundër vendimit të gjykatësit të vetëm për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.
Në vendimin e Apelit, thuhet se Kolegji nuk ka gjetur ndonjë gabim në zbatimin e standardit sa i përket dyshimit të bazuar si bazë për caktimin e masës së paraburgimit dhe se hedh poshtë pikën e parë të ankesës së Kilaj.
Në pikën e dytë të ankesës, Kilaj kishte parashtruar se gjyqtari i procedurës paraprake gaboi ligjin që konstatoi se paraburgimi ishte i nevojshëm.
“Kilaj parashtron se megjithëse gjyqtari i vetëm pranoi standardin e saktë të provës për të vërtetuar domosdoshmërinë e vazhdimit të paraburgimit, ai nuk e zbatoi këtë standard gjatë vlerësimit të provave, dhe si rezultat, gaboi në konstatimin e ekzistencës së rreziqeve të pengimit në të ardhmen dhe kryerjen e veprave penale në të ardhmen. Sipas tij, gjetjet e gjyqtarit të vetëm se ai “mund të ketë të ngjarë të pengojë procedimin ku mund të jetë i akuzuar”, “mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale” dhe “mund të kryejë vepra të tjera” nuk përbëjnë më shumë se “një mundësi për të materializuar një rrezik” e cila është “e pamjaftueshme” për të përmbushur standardin e kërkuar”, thuhet në vendim.
Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, u arrestua vitin e kaluar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, pas bastisjeve disa orëshe në pronat e tij në Prishtinë e Lubizhdë të Malishevës.
Ai akuzohet për veprat penale pengim i personave zyrtarë për kryerjen e detyrave zyrtare, dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës.
Më 6 nëntor 2023, gjykatësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nikola Giju, urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Isni Kilajt.
Vendimi, mes të tjerash, thekson se gjykatësi Giju, pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve, ka vendosur se ka dyshime të bazuara se Kilaj ka kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, dhe se, për arsye të ikjes dhe rreziqeve tjera, mbajtja e mëtejshme e të dyshuarit është e përshtatshme.