Reagon Beogradi, thotë se Rashiq e ndihmoi Kurtin të paraburgosë 7 drejtorë serbë
2-Second
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Reagon Beogradi, thotë se Rashiq e ndihmoi Kurtin të paraburgosë 7 drejtorë serbë
petkovic
21/05/2026 - 19:26
Linku u kopjua

Drejtori i asaj që në Beograd quhet Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se caktimi i masës së paraburgimit prej një muaji ndaj shtatë drejtorëve serbë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, është bërë, sipas tij, “me urdhër të drejtpërdrejtë politik” të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Në një reagim publik, Petkoviq tha se paraburgimi ndaj Bratisllav Llaziqit, Mirjana Dimitrijeviqit, Sasha Mladenoviqit, Boban Petroviqit, Ljubisha Karaxhiqit, Milica Dimiqit dhe Nebojsha Rashiqit është realizuar “me ndihmën e Nenad Rashiqit”.

Sipas tij, ky vendim ka tri qëllime: “goditjen shtesë ndaj institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit, dobësimin e Listës Serbe dhe frikësimin e popullit serb para fillimit të fushatës zgjedhore”.

Petkoviq shtoi se Kurti, sipas tij, “nuk ka llogaritur në faktin se populli serb është më i bashkuar dhe më i fortë pikërisht atëherë kur është më e nevojshme”.

Ai deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme serbët do ta mbështesin edhe më fuqishëm Listën Serbe, ndërsa për Nenad Rashiqin tha se do të përfundojë “në mbeturinat e historisë politike”.

Ishte ky i fundit që në një intervistë për KosovaPress, të hënën, ngrehu shqetësimin se persona të caktuar, të afërt me Listën Serbe dhe pushtetin në Beograd, po bëjnë presion ndaj serbëve të Kosovës që nuk mbështesin LS-në por subjekte tjera politike të këtij komuniteti në Kosovë.

Ata u arrestuan ditë më parë, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtatë të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, pasi vlerësoi se ekziston rreziku real i arratisjes së të pandehurve dhe pengimit të zhvillimit normal të procedurës penale. Gjykata ka theksuar se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, çka sipas saj rrit mundësinë që ata të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026