Rasti Thaçi drejt vendimit, mbrojtja kërkon ndalimin e provave të reja
Tema
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Rasti Thaçi drejt vendimit, mbrojtja kërkon ndalimin e provave të reja
28/03/2026 - 14:12
Linku u kopjua

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim.

Edhe pas një muaji prej kur është mbajtur seanca e fundit, mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Lluka Mishetiq ka shprehur shqetësimin se Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon të paraqes prova pranë trupit gjykues.

Kjo parashtresë i përket datës 13 mars ku i kërkohet trupit gjykues që të urdhërojë Prokurorinë për mos paraqitje të provave.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Speciales, Kristofer Bennet është pyetur se për çfarë prova bëhet fjalë, por i njëjti ka thënë se “nuk mund të komentoj për një çështje që është në shqyrtim nga gjykata”.

Edhe zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle tha se po presin vendimin e trupit gjykues për këtë çështje.

Por, çfarë parasheh rregullorja e procedurës dhe e provave, saktësisht rregulli 136?

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se nuk dihet se për çfarë prova bëhet fjalë, por që procedura e provave është mbyllur nga trupi gjykues.

Edhe avokati Ardian Bajraktari thotë se trupi gjykues nuk do të duhej të shqyrtonte prova të tilla pas përfundimit të kësaj faze të procedurës.

Pas paraqitjes së deklaratave përfundimtare të palëve, më 18 shkurt, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith pati thënë se nuk mund të bëhen parashtrime të tjera në këtë fazë.

Lidhur me këtë, ka shprehur shqetësimin edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ku përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë KosovaPress-it se “kjo në mënyrë të skajshme cenon të drejtën për një gjykim të drejtë e të paanshëm”.

“Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin e tij në vazhdimësi duke parë procesin gjyqësor se si procedohet administrimi i provave në drejtim të barazisë së palëve, për të pasur qasje qoftë për të kundërshtuar, apo qoftë për të propozuar këto prova. Po ashtu, shqetësuese mbetet se si po i aplikon standardet kjo gjykatë - duke pranuar prova edhe pas ngritjes së akuzës dhe pas shqyrtimit kryesor. Kjo në mënyrë të skajshme, sipas nesh, cenon të drejtën për një gjykim të drejtë e të paanshëm”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve që shënojnë edhe fazën përfundimtare të procesit, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë vendim.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle ka thënë për KosovaPress, se “Nëse paneli ka nevojë për më shumë kohë, ky afat mund të zgjatet. Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet”.

Akademik Arsim Bajrami pret lirimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026