Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar nga puna Burim Buleshkaj, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe Destan Zogaj, zyrtar korrektues, ish-ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
Në njoftimin për media thuhet se ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 2016.
Ndryshe, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendos pezullimin e nëpunësve civilë, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë.