Sot, Gjykata Themelore e Prizrenit u ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit Sami Mazreku, Valon Berisha, F. S. dhe Y. Ç., e cila mund të zgjasë deri më 8 shkurt 2026 për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale. 39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS-së, Valon Berisha, kurse vlera e dëmit të shkaktuar siç pretendohet është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
Sipas njoftimit të sotëm të gjykatës, S. M (Sami Mazreku) dhe V. B. (Valon Berisha) për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerjekanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi, nga neni 330, par. 2 lidhur me par.1, e lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së, dhe veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, nga neni 284, par. 2 lidhur me par. 1, pika 1.2 në lidhje me nenin 31 të KP-së.
F.S, veprat penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi nganeni 390, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KP-së. Keqpërdorimi i besimit, në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së.
Y.Ç., veprën penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi, nga neni 330, par. 1 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KP-së.
“Ndaj 35 (tridhjetepesë) të pandehurve, është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, si dhe masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 08.02.2026, ashtu që obligohen të pandehurit një (1) herë në javë të paraqiten në Stacionin Policor përkatës ku e kanë vendbanimin, dhe i ndalohet të pandehurve që t ‘iu afrohen të dëmtuarës BKS, si dhe të pandehurve të tjerë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Nëse të pandehurit nuk e respektojnë masën e paraqitjes në stacion Policor, si dhe masën e ndalimit, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit”.
Caktimi i paraburgimit për katër (4) të pandehurit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të arratisjes apo të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore.
Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i masës së sigurisë për të pandehurit është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë hetimore, parandalimin që të pandehuri të arratisen apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit.
Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se “ Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda dyzetetetë (48) orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se “Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim”, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret.
Gjithashtu paragrafi 11 i këtij neni përcakton se “Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se pas dyzet e tetë (48) orëve nga seanca dëgjimore (në rastin konkret ende nuk kanë kaluar 48 orë nga mbajtja e seancës e cila është mbajtur me datë 08.01.2026), sipas paragrafit 8 të këtij neni, gjyqtari i procedurës paraprake e nxjerr një vendim i cili përcakton nëse të pandehurit i caktohet njëra nga masatnga neni 171 i këtij Kodi” e që neni 171 parasheh të gjitha masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit, jo vetëm për paraburgimin..
Ndryshe, 39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS-së, Valon Berisha, kurse vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media, ka thënë se gjatë aksionit të sotëm policor që përfshiu shumë komuna të Kosovës, janë sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, ndërsa është arritur që të bllokohen të hollat në vlerë prej 1 milionë 300 mijë e 886 euro.
https://kosovapress.com/aksioni-ndaj-ish-drejtuesve-bks-rasti-eshte-iniciuar-nga-ne
https://kosovapress.com/prokuroria-e-prizrenit-me-aksion-te-madh-ne-disa-qytete-te-kosoves