Hetimet financiare në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave do të jenë ndër prioritetet kryesore të Prokurorit të Shtetit gjatë 100 ditëve të para të mandatit të kryeprokurorit të ri të Kosovës, Zejnulla Gashi.
Këto prioritete u prezantuan në takimin e tij të parë me kolegjiumin me kryeprokurorët e prokurorive, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, në fokus do të jetë edhe mbrojtja e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale, si dhe një politikë më rigoroze ndëshkimore ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik.
Po ashtu, sipas tij, do të krijohet një mekanizëm i brendshëm për mbrojtjen e prokurorëve në rastet kur ata, siç u tha, "atakohen padrejtësisht" gjatë ushtrimit të detyrës.
Kryeprokurori kërkoi nga të gjitha prokuroritë themelore që, brenda një afati të arsyeshëm, t'i dorëzojnë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit një plan fillestar për zbatimin e këtyre prioriteteve. /KosovaPress/