Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi, duke theksuar se masat që kufizojnë punën e mediave, nuk janë në përputhje me vlerat që priten nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Komisioni Evropian tha se vendet në procesin e zgjerimit duhet të veprojnë në përputhje me vlerat themelore evropiane, përfshirë respektimin e parimeve demokratike, të drejtave themelore, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, transmeton KosovaPress.
Ai shtoi se institucionet evropiane janë në dijeni të raportimeve për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe se do të vazhdojnë ta ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.
Duke iu referuar informacioneve të shërbimeve të sigurisë, Vuçiq tha se Vuçeviqit i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi dhe e cilësoi vendimin e Podgoricës si “gabim të madh”.
Më 23 korrik, drejtorit të Radio-Televizionit Podgorica, Vlladimir Otasheviq, iu ndalua hyrja në Serbi në pikën kufitare mes dy vendeve.
Vendimi u arsyetua me pretendimet se përmbajtja e këtij mediumi fyente dinjitetin e popullit malazez, mohonte identitetin kombëtar malazez, nxiste gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, si dhe cenonte dinjitetin e qytetarëve dhe institucioneve të Malit të Zi.
Federata Evropiane e Gazetarëve vlerësoi se masa të tilla paraqesin rrezik për gazetarinë hulumtuese, ndërsa organizatat Reporterët pa Kufij dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit u bënë thirrje autoriteteve serbe t’i shfuqizojnë këto ndalesa.
Institucionet evropiane e shohin këtë çështje edhe në kontekstin rajonal.
“Prandaj, inkurajojmë si Serbinë, ashtu edhe Malin e Zi që t’i shmangin hapat që mund t’i rrisin më tej tensionet dhe, në vend të kësaj, të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.