Procesi gjyqësor në rastin “Banjska”, ndodhet në fazën përfundimtare dhe shpejt pritet shpallja e aktgjykimit.
Mbi dhjetë dëshmitarë janë ftuar në gjykatore për dëshmi gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe zyrtarë policorë të cilët ishin pjesë e njësisë që u sulmua nga terroristë serbë.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Avokati Naim Rudari thotë se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, që sipas tij, kanë dëshmuar rrejshëm dhe pronarit e drejtorit të “Rajnska Banja”. Ky hotel ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.
Avokati Naim Rudari thotë se tani pritet fillimi i dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Ai pret që shpejt të shpallet aktgjykimi dhe të dënohen me burgim të përjetshëm të akuzuarit.
Terroristët serbë prapa vetës lanë shumë dëshmi e gjurmë, përfshirë video-incizime të dronëve, komunikime të telefonave mes anëtarëve të grupit terrorist, kamera të sigurisë, fotografi e qindra dokumente.
Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se ka mjaftueshëm prova dhe se gjatë këtij viti pritet epilogu i shkallës së parë.
Një ditë pasi kishte përfunduar operacioni, policia kishte ekspozuar krejt çfarë kishte gjetur në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës dhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët. /Sh.Pajaziti/