Rasti Banjska, pritet interpretim nga Supremja nëse mund të aplikohet gjykimi në mungesë
Lajme
Lexohet për: 6 min.
pallati
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjsë të Zveçanit të prangosur e me masa të larta të sigurisë sot u sollën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku edhe u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast.

Por, përkundër që Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të cilët janë në paraburgim nga shtatori i vitit të kaluar, në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm edhe 42 të akuzuarit tjerë të cilët po ngarkohen për veprat penale sulm terroristë, sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, shpëlarje parash e lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit.

E ndonëse nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës u propozua që për 42 të akuzuarit që nuk është siguruar prania e tyre të zhvillohet gjykimi në mungesë, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti vendosi që të marr interpretim nga Gjykata Supreme se në rastin në fjalë se a mund të aplikohet gjykimi në mungesë i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Krahas tre të akuzuarve, në Departamentin Special në Gjykatën Themelore tw Prishtinës ishin të pranishëm edhe policët e lwnduar nga sulmi në Banjskë, por familjarët  e rreshterit, Afrim Bunjaku i cili u vra më 24 shtator 2023 në krye të detyrës nuk ishin të pranishëm, por u përfaqësuan nga avokati, Ariant Koci.

Në fillim të seancës, prokurori special, Naim Abazi qysh në nisje të seancës të shqyrtimit fillestar propozoi që gjykimi në mungesë të zhvillohet për 42 të akuzuarit që nuk ishin të pranishëm në sallë.

“Meqenëse tani kemi vetëm 3 persona të pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa të tjerët nuk janë të pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor iu njoftoj se edhe gjatë hetimit nuk ka qenë e mundur që të njëjtit të sigurohen ose të sigurohet prezenca e tyre. Lidhur me këtë ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, Kodi në fuqi ka paraparë dispozita që i mundësojnë Prokurorisë që aktakuza të ngritët në mungesë të të pandehurve për faktin se në pajtim me nenin 303 është përcaktuar se vepra penale lidhur me nenin 104 të këtij Kodi mund të bëhet gjykimi në mungesë edhe pa u plotësuar kriteret e parapara për praninë e të pandehurve në këtë shqyrtim gjyqësor….10’37 Konsiderojmë që ky gjykim mund të mbahet në mungesë të tyre”, theksoi Abazi.

Ky propozim i Prokurorisë Speciale iu dukë i pamundur Ljubomi Pantovic, mbrojtja e të akuzuarit, Blagoje Spasojevic.

“Konsideroj që gjykimi në mungesë i 42 personave të akuzuar është i pamundur dhe për këtë nuk ekzistojnë supozime personale, nga neni 303 të Kodit të Procedurës Penale”, theksoi ai.

Avokati i familjes së rreshterit, Afrim Bunjaku, Ariant Koci propozoi që të merret mendim nga Gjykata Supreme pwr gjykimin nw mungesw.

“Parimisht gjykata duhet të vendos se a do të mbahet gjykimi në mungesë apo jo. Besoj që as ju nuk e keni punën e lehtë për shkak se nuk kemi krijuar praktikë gjyqësore dhe kemi ndryshime në Kod vazhdimisht, sidoqoftë iu ftoj ta shikoni opsionin, marrim mendim prej Gjykatës Supreme për këtë çështje”, propozoi Koci. 

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për opinion për të parë nëse për veprat penale për të cilat ngarkohen 42 të akuzuarit mund të aplikohet gjykimi në mungesë.

Pas kësaj, kryesuesi i trupit gjykues me qëllim të mos prolongimit të çështjes ndaj tre të akuzuarve që janë në paraburgim vendosi ta veçoj procedurën penale.

Pas këtij vendimi në seancën e shqyrtimit fillestar në rastin për sulmin terrorist në Banjskë, avokatët e të akuzuarve u ankuan se kanë pranuar shkresat e lëndëve vetëm në mënyrë elektronike dhe kërkesë e tyre ishte që Prokuroria Speciale t’ua dorëzoj edhe në mënyrë fizike. 

Ndërsa, prokurori special, Naim Abazi konsideroi se me dorëzimin elektronik të shkresave si Prokurori Speciale e Kosovës i kanë përmbushur obligimet që dalin nga Kodi i Procedurës Penale pasi i janë siguruar mbrojtjes provat dhe shkresat e lëndës.

Ai u shpreh bashkëpunues në rast se ndonjë provë nuk hapet.

Derisa në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritej që prokurori i specializuar të nis leximin e aktakuzës, ishte mbrojta e të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të cilët kërkuan që seanca për shqyrtimin fillestar të shtyhet.

Ljubomir Pantoviq, mbrojtësi i të pandehurit Blagoje Spasojevic tha se meqenëse në më pak se dy ditë kanë pranuar aktakuzën, shkresat e lëndës nuk kanë arritur të përgatiten.

Pantoviq theksoi se as klientit të tij nuk i është dorëzuar aktakuza dhe ai nuk e di se me çka konkretisht e ngarkon aktakuza.

Në mungesë të kohës për përgatitje dhe mos pranimi i aktakuzës në gjuhën serbe për të akuzuarit, edhe avokati i Valdimir Toliq, Milos Deleviq dhe mbrojtësja e të akuzuarit, Dusan Maksimoviq, Jovana Filipoviq kërkuan shtyrje të kësaj seance për shqyrtimin fillestar.

Ndërsa, kjo kërkesë nga ana e mbrojtjes për prokurorin special, Naim Abazi ishte  e paarsyeshme.

Pas kërkesës nga ana e palëve mbrojtëse për shtyrje të seancës fillestare dhe përkundër kundërshtimit nga Prokuroria Speciale kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti me qëllim të përgatitjes në mënyrë efikase nga ana e mbrojtjes vendosi që ta shtyjë seancën e shqyrtimit fillestar për 8 tetor 2024 nga ora 09:30.

Në seancën e sotme fillestare për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit i cili ndodhi më 23 shtator 2023 ishin të pranishëm edhe familjarët e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim e që janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.

E dje janë bërë 1 vit nga ky sulm ku i vrarë mbeti rreshteri, Afrim Bunjaku e të plagosur mbetën pjesëtarë tjerë të Policisë së Kosovës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024