Raporti i IKD-së për legjislaturën e X-të: Kuvendi s’ishte efektiv në mbikëqyrjen e qeverisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Raporti i IKD-së për legjislaturën e X-të: Kuvendi s’ishte efektiv në mbikëqyrjen e qeverisë
ikd-foto
12/05/2026 - 15:16
Linku u kopjua

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference diskutimi këtë të marte ka publikuar raportin monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga katër partitë më të mëdha parlamentare, raporton KosovaPress.

Aty pati kritika për procesin e formimit të qeverisë, mungesën e informacionit paraprak për përbërjen e kabinetit dhe zgjerimin e paqartë të kabinetit, teksa u theksua se sipas raportit, kuvendi nuk arriti të jetë efektiv në funksionin mbikëqyrës.

Naim Jakaj nga IKD tha se sipas po këtij raporti, legjislatura e X-të e Kuvendit, nisi me ritëm të shpejtë të vendimmarrjes, por që në thelb reflektoi më shumë formalitet sesa funksionim të plotë demokratik.

“Procesi i formimit të qeverisë u karakterizuar nga mungesa e theksuar e transparencës. Deputetët dhe opinioni publik nuk patën asnjë informacion paraprak për përbërjen e kabinetit, ndërsa zgjerimi i tij u bë pa një arsyetim të qartë. Në planin legjislativ, janë evidentuar me dhjetëra tentativa të përsëritura për shmangie të procedurave të rregullta nga ana e shumicës parlamentare. Në funksionin mbikëqyrës, kuvendi nuk arriti të jetë efektiv”, tha ai.

E, përshpejtimin e disa projektligjeve e arsyetoi ish-deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, i cili tha se u bë për shkak se në horizont shiheshin zgjedhjet e reja, teksa e cilësoi si “punë të mirë” përfundimin e projektligjeve sa më herët.

Kërçeli tha se qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar me ritëm të shpejtë me procedura të përshpejtuara për shkak të nevojës për vendimmarrje, por jo për ta shmangur demokracinë.

Kurse, ish-deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, u shpreh se VV-ja e ka pasur synim që nga fillimi i kësaj legjislature përgatitjen për zgjedhje, sesa synimin për agjendë serioze legjislative apo qeverisëse.

Ai akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ekspozenë e qeverisë së fundit më tepër e kishte listë dëshirash dhe se sipas tij, premtimet ishin të njëjta sikur para 6 viteve kur VV-ja i pati fituar zgjedhjet për herë të parë.

Ndërsa, ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se legjislatura e X-të, karakterizohet me arrogancë të shumicës në përcaktimin  agjendës legjislative. Ajo tha se “është synuar që të thyhen të gjitha afatet kohore vetëm për t’i proceduar projektligjet”, të cilat sipas saj, Kosova do të ketë probleme serioze në implementimin e tyre pasi siç u shpreh, nuk përkojnë me realitetin.

Teksa për ish-deputetin e AAK-së, Besnik Tahirin, kjo legjislaturë e ka nisur punën mbrapsht dhe e përfundoi edhe më mbrapsht, ku tha se kjo reflektohet edhe në gjuhën hulumtuese të raportit të IKD-së.

Tahiri tha se është Legjislatura e X-të e nisi punën mbrapsht pasi është kërkuar votë prej deputetëve pa e pasur përpara ekspozenë e qeverisë, e as listën e ministrive dhe emrat e ministrave.

Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës u shpërbë me automatizëm pasi deputetët nuk arritën që brenda afatit kushtetues ta zgjidhnin presidentin e vendit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026