Raporti i Auditorit, Ali Berisha fton Prokurorinë të hetojë komunën e Pejës
Lexohet për: 4 min.
ali berisha
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, Ali Berisha ka ftuar Prokurorinë që të hetojë komunën e Pejës pas raportit të Auditorit për gjetjet në këtë komunë.

Ai ka thënë se Prokuroria duhet t’i nis hetimet dhe përgjegjësit ti ballafaqojë me ligjin.

Berisha ka përmendur edhe të gjeturat e këtij raporti.

“Nëse flasim nga të dhënat e këtij raporti janë tri aspekte që tregojnë për një performancë shumë të dobët gjatë vitit 2023, e që janë, opininoni  i auditimit është i cilësuar si opinion i  kualifikuar që nënkupton opinion negativ për komunën e Pejës e që është se gjatë auditimit janë zbuluar keq deklarime dhe keqmenaxhim i parasë publike dhe mospajtueshmëri me kornizën ligjore. Kemi rritje të numrit të rekomandimeve nga auditori për komunën e Pejës dhe kemi moszbatim total të rekomandimeve nga viti 2022. Arsyeja e kualifikimit të opinionit qëndron në atë se komuna kishte bërë keqklasifikim të  shpenzimeve kapitale në vlerë prej 1 milion e 32 mijë e 580 euro, prej të cilave mbi 900 mijë euro ishin ekzekutuar për vendime gjyqësore. Komuna e Pejës nga kategoria e investimeve kapitale ka paguar për paga dhe meditje vlerën prej 937 mijë e769 euro ndërsa për mallra dhe shërbime 30 mijë e 448 euro. Komuna e Pejës në shumë raste ka shkelur ligjin e prokurimit duke iniciuar procedurat e prokurimit pa fonde të mjaftueshme vetëm duke filluar projekte pa buxhet të mjaftueshëm për përfundimin e tyre, vetëm e vetëm që ti mashtrojë qytetarët gjoja se po i përfundojnë projektet. Shembull, Ndërtimi i ujësjellësit në fshatrat e lugut të Baranit, ku projekti kushton 1 milion e 377 mijë e 859 euro me zotimin e vetëm 200 mijë000 euro. Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Varri i Sykut në Bellopaq, i cili kushton 918 mijë 214 euro, me vetëm 50.000 euro të zotuara. Kështu ka ndodhur edhe në shumë projekte tjera siç është projekti i Asllanqeshmes, projekti i palestrës në Zahaq, ndërtimi i pendës në Vranoc dhe projekte të tjera”, deklaroi Berisha.

Sipas Ali Berishës,  Komuna e Pejës ka pasur dobësi evidente në ndarjen dhe menaxhimin e subvencioneve.

“Komuna e Pejës ka pasur dobësi evidente në ndarjen dhe menaxhimin e subvencioneve, komuna e Pejës nuk ka caktuar zyrtar përgjegjës i cili duhet të kujdeset për monitorimin e implementimit të projekteve. Ka ndarë subvencione për shoqata të ndryshme dhe nuk ka monitoruar se si po hargjohen këto mjete të qytetarëve të Pejës nga këto shoqata të financuara nga komuna. Komuna e Pejës ka pasur dobësi serioze në menaxhimin e projekteve përmes platformës elektronike të e-prokurimit. Komuna e  Pejës ka dështuar në regjistrimin e pasurive të saj dhe ka dështuar në hartimin e një rregulloreje të brendshme për menaxhimin e pasurive jofinanciare të kësaj komune”, ka thënë Berisha.

Për të gjitha këto gjetje nga Auditori për komunën e Pejës, Berisha ka ftuar Prokurorinë që të filloi hetimet.

“Bazuar në këtë auditim dhe raportin e auditimit, ftojmë prokurorinë e shtetit që të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që komunën e Pejës po e degradojnë si në aspektin e menaxhimit të parasë publike, të realizimit të projekteve, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare , në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të ndalet degradimi i skajshëm në qeverisjen komunale të Pejës”, tha ndër të tjera Ali Berisha.

Ndërsa, ka hedhur poshtë zërat kur është pyetur për koalicion të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Zërat që po dalin, janë nga kanalet e propagandës së kryetarit Gazmend Muhaxheri, rezultat i realitetit që i ka rrëshqitur qeverisja. Nuk ka as nuk do të ketë koalicion me LDK-në, me Muhaxherin, as tash, as në vjeshtë as asnjëherë. Ne po punojmë çdo ditë për zgjedhjet lokale 2025, të cilat do ti fitojmë si parti e parë, ndërsa pas atyre zgjedhjeve  flasim për koalicione në Asamblenë e re, por LDK atëherë do të kalojë në pushim”, deklaroi Ali Berisha.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024