Raporti i auditimit: KRU Prishtina mbi 71 mijë konsumatorë të pa regjistruar
Lexohet për: 3 min.
438154401_330661379774034_431608280532205961_n
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “KRU Prishtina”, ka marrë 18 rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) pas parregullsive të gjetura gjatë përpilimit të raportit të auditimit, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me qeverisjen jo efektive në teknologjinë e informacionit.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, anëtarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj Sadiku prezantoi të gjeturat e raportit të ZKA-së për “KRU Prishtina”. Sadiku tregoi se mungon planifikimi strategjik i teknologjisë informative, politikat dhe procedurat si dhe nuk ka vendosur strukturë organizative të teknologjisë adekuate.

Ajo tha se kjo ndërmarrje nuk ka strukturë të plotë organizative dhe ndarje të qartë të detyrave dhe përgjegjësive.

Tutje, Sadiku potencoi se mbi 71 mijë konsumatorë aktiv nuk ishin të regjistruar fare numër identifikues, derisa janë hasur rreth 4 mijë  numra personal të regjistruar më shumë se dy herë në sistem që përmbajnë emër dhe mbiemër ndryshe.

Këto të gjetura dhe rekomandime, “KRU Prishtina” i ka marrë në prill të vitit të kaluar.

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performances “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina” ishte i ftuar edhe Bordi i KRU-së.

Kryesuesi i bordit të KRU-së, Bashkim Pllana tha se përgjatë një viti kanë bërë përpjekje të veprojnë në bazë të rekomandimeve të ZKA-së dhe se gjysma prej tyre veçse janë rregulluar. Ai tregoi se 100 për qind është rregulluar struktura organizative për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive.

Për pjesën se “KRU Prishtina' nuk ka të vendosur mekanizmin efikas për vlerësimin e rrezikut të sigurisë së informacionit”, Pllana potencoi se rreth për 90 për qind është rregulluar kjo çështje.

Ai theksoi se kanë përmbushur 50 për qind të pikës për krijimin e mekanizmave parandalues kundër rreziqeve fizike dhe mjedisore për ambientin.

Bordi i KRU-së u pyet nëse gjatë inspektimit kanë hasur se ndonjë autolarje po e përdor ujin për biznes, derisa këta të fundit u përgjigjen se nuk është raportuar për një gjë të tillë.

Ndërkaq, të njëjtit u pyeten edhe për borxhin që konsumatorët e kanë ndaj kësaj ndërmarrje.

Anëtari i Bordit të KRU-së, Riza Spanca tha se borxhet e akumuluara të konsumatorëve arrijnë vlerën prej 52 milionë eurove.

Ai shtoi se shumica e këtyre borxheve vijnë nga amvisëria, rastet sociale dhe bizneset.

Ndërsa, për pyetjen e parashtruar nga anëtarët e komisionit, lidhur me ndërrimin e ujëmatësve, Spanca tha se kjo kërkon një kosto të lartë, për çka përmendi se “KRU Prishtina” vazhdon të paguajë kredi për ndërtimin e fabrikës.

Deputeti i LVV-së, Visar Korenica kritikoi “KRU Prishtina”, për mospjesëmarrjen e kryeshefit dhe të anëtarëve të tjerë të bordit në këtë komision. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024