Rambujeja dhe intervenimi i NATO-s, libri i ri i Arsim Bajramit zbardh prapaskenat historike
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Rambujeja dhe intervenimi i NATO-s, libri i ri i Arsim Bajramit zbardh prapaskenat historike
Libri 1
18/03/2026 - 14:18
Linku u kopjua

"Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë", është titulli i botimit të ri të profesor Arsim Bajramit. Ky punim shkencor u promovua në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mesin e shumë akademikëve dhe profesorëve.

Arsim Bajrami, i cili ka botuar 40 libra, ka qenë edhe pjesëmarrës në negociatat në Rambuje të Parisit, në cilësinë e këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës.

Në këtë libër prej më shumë se 500 faqesh, ai i prezanton prapaskenat, sfidat por edhe dilemat e delegacionit për të pranuar apo refuzuar përmbajtjen e dokumentit kosovar.

Profesor Arsim Bajrami tha se në historinë politike të Kosovës pas datës së 17 shkurtit, nuk ka datë më të rëndësishme se Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë.

"Në historinë politike të Kosovës, pas datës së 17 shkurtit – shpalljes së Pavarësisë, nuk ka datë më të ndritshme apo moment më të rëndësishëm historik se sa konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s. Kjo ngjarje është realizim i ëndrrës shekullore të popullit të Kosovës, realizim i doktrinës të presidentit Ibrahim Rugova, i cili jetoi dhe punoi për ditën e Pavarësisë dhe i cili kishte ëndërr që të mbahet një konferencë ndërkombëtare dhe të vendoset për Pavarësinë e Kosovës. Ishte një rezultat i drejtpërdrejt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i drejtorisë politike që diti ta udhëheq Kosovën dhe ta shndërroj në çështje ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Në Konferencën e Rambujesë, Bajrami tha se shqiptarët u bashkuan, për dallim nga sot.

“Kjo konferencë është fitore politike dhe diplomatike e shqiptarëve të Kosovës. Është fitore politike se shqiptarët e mundën Serbinë. Duke pranuar një marrëveshje jo perfekte por duke hapur rrugën që Kosova fillimisht të çlirohet e pastaj të pavarësohet dhe tërë ky proces të bëhet me mbështetje të ndërkombëtarëve. Në këtë konferencë, shqiptarët si klasë politike, si lidership u bashkuan, një bashkim që po na mungon tash", u shpreh ai.

Akademik Jusuf Bajraktari në paraqitjen e recensionit të tij tregoi se çka përmban libri i Arsim Bajramit.


"11 kapituj ku shtjellohet materia kryesore, rezymeja në dy gjuhë dhe përmbyllet me regjistrin e literaturës dhe burimeve historike që autori i ka shfryrtëzuar. Objekti i studimit të kësaj vepre është Konferenca e Rambujesë që paraqet ngjarjen historike, në të cilën bashkësia ndërkombëtare përmes grupit të kontaktit vendosi që të gjej një zgjidhje për statusin e Kosovës. Konferenca e Rambujesë ishte rasti i parë kur shqiptarët e Kosovës ishin thirrur në një konferencë ndërkombëtare për të vendosur për fatin e tyre”, tha Bajraktari.

Edhe profesor Ismet Salihu ka vlerësuar lartë këtë botim të profesor Arsim Bajramit, duke thënë se përmban periudhat më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.

"Në aspektin shkencor, autori Bajrami këtë temë shumë të rëndësishme në këtë libër e prezanton në 512 faqe të cilën e ka sistemuar në 11 kapitujë. Në këta 11 kapitujë, autori prezanton ngjarjet historike që i paraprijnë Konferencën e Rambujesë, veçmas e prezanton rezistencën aktive, paqësore, gjatë viteve 1990 deri në vitet 1997. Paraqitjen e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe luftën e UÇK-së, organizimin dhe sfidat, peripetitë e Konferencës së Rambujesë. Më tutje, cek prapaskenat e Konferencës së Rambujesë, pastaj analizën juridike të marrëveshjes së Rambujesë, efektet ushtarake, politike, juridike dhe ndërkombëtare të Rambujesë”, përfundoi Salihu.

Më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. /Sh.Pajaziti


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026