Ramaj lë Kosovën e Shqipërinë në pritje, pret ftesën nga Gjermania
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Me një shpirt luftarak shqiptari, disiplinë gjermani dhe një teknik holandeze, Diant Ramaj ka arritur të bëhet portieri i parë i gjigantit të futbollit, Ajax.

Në një intervistë me mediumin holandez “ad.nl”, Ramaj preku tema të shumta, ndër to edhe ftesën nga Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, raporton KosovaPress.

Portieri, prindërit e të cilit janë nga Gjakova, ka luksin që të zgjedhë tri kombëtare. Ai ka lënë në pritje ftesat nga Kosova dhe Shqipëria, pasi që po shpreson t’i vjen ftesa nga “Die Mannschaft”, apo ndryshe nga Gjermania.

“Më duhet të marr një vendim, por nuk dua të ngutem”, tha Ramaj i cili veçse ka luajtur për moshat e reja të Gjermanisë.

“Kosova dhe Shqipëria veçse më kanë kontaktuar mua. Ju thashë se më duhet kohë, sepse unë po shpresoj dhe po pres për Gjermaninë”, tha më tej Ramaj.

Ramaj po ashtu tha se viziton Kosovën çdo vit, dhe se është i lidhur shumë me Gjakovën.

“Prindërit e mi kanë përjetuar pjesën e luftës. Kurrë nuk kishte pushim. Për këtë arsye, dhe për t’iu dhuruar një jetë më të mirë fëmijëve të tyre, ata migruan në Gjermani. Unë ende shkoj çdo vit në Kosovës. Është atdheu im. Kjo është dhe do të jetë gjithmonë speciale. Jam shumë i lidhur me Gjakovën dhe Kosovën”, tha Ramaj.

I pyetur se si përfundoi si portier i ri te VfB Stuttgart, Ramaj tregoi se fillimisht ai ishte refuzuar nga kjo skuadër si sulmues.

“Sepse skautët e rinj panë një djalosh i cili fluturonte te topi pa frikë. Çfarë është qesharake është që Stuttgarti më refuzoi si sulmues. Doja të bëhesha sulmues, sepse e shikoja vëllaun tim Dijonin, i cili së fundmi u pensionua si profesionist, si shembull. Me të dhe nipat dhe shokët luanim futboll çdo ditë në beton. Si pasojë e kësaj, si portier i ri, unë kisha edhe teknikë të mirë”, tha Ramaj.

Më tej, Ramaj tha se mentalitetin që e ka, është një përzierje e shpirtit shqiptar dhe disiplinës gjermane.

“Karakteri im e bënë këtë mentalitet. Gjermanët kanë shumë disiplinë. Kosovarët nuk frikohen lehtë. Dhe si portier, nuk guxon të kesh frikë. Dyshimet janë për lojtarët e dobët, le më për një portier, me 60,000 tifozë prapa teje, por asnjë prapa teje në gol. Duhet të jesh gjithmonë i gatshëm për aksion”, tha Ramaj.

Diant Ramaj këtë sezon ka arritur të bëjë 17 paraqitje në të gjitha garat me Ajaxin, duke mbajtur portën e paprekur katër herë, dhe duke pranuar 26 gola.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024