Rama: Viktimave në Kosovë u detyrohemi me vepra e jo fjalë
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurisë në Nju Jork, pasi Shqipëria për herë të parë mori kryesimin.

Ai me këtë rast tha se Shqipëria në OKB do të jetë në ballë të përpjekjeve për të ndaluar krimet nga e gjithë bota dhe se viktimave të pafajshme, Këshilli i Sigurimit iu detyrohet me vepra dhe jo me fjalë, duke përmendur kështu gratë e dhunuara  gjatë spastrimit etnik në Kosovë nga ana e Serbisë.

“Na duhet të dëshmojmë vepra dhe jo vetëm fjalë. Na duhet të themi sot më shumë se kurrë “Kurrë më” se i detyrohemi me vepra dhe jo me fjalë mijëra viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, Ruanda dhe Darfur, ua detyrojmë të gjithëve atyre që kanë vuajtur mizori masakra dhe krime kundër njerëzimit. U detyrohemi fytyrave të panumërta të heshtura, të cilat shpesh janë viktima të pafalshme të krimeve seksuale si 20 mijë gratë e dhunuara në mënyrë çnjerëzore gjatë spastrimit etnik në Kosovë në ’98-’99”, ka thënë Rama.

Rama në cilësinë e presidentit të Këshillit të Sigurisë ka kërkuar që të gjitha shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare të trajtohen me të njëjtën shkallë drejtësie dhe vendosmërie, teksa ka cituar Martin Luther King se “Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë kudo”.

Ai ndërkaq ka përmendur krimet kundër njerëzimit në luftën e Sirisë dhe agresionin ushtarak rus që po vazhdon në Ukrainë.

“Krimet nuk mund dhe nuk duhet të mbeten të pandëshkuara. Shqipëria ka qenë dhe do vazhdojë të jetë në ballë të përpjekjeve për të dhënë në vend drejtësi dhe për të parandaluar krimet e mëtejshme dhe të ardhshme... Glorifikimi i kriminelëve dhe mohimi i gjenocidit dhe thirrjeve për violencë, këto thirrje duhet të dënohen pa asnjë hezitim... Shkelësit duhet të mos kenë pjesë e vend në botën tonë. Ato duhet të kenë pjesë në vendin e tyre pas hekurave si Slobodan Millosheviq”, ka thënë Rama.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024