Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur sërish për koalicionet në kryeqytet. Ani pse Lidhja Demokratike e Kosovës tha të martën se s’ka koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Rama ka përmendur bashkëqeverisjen me disa parti.
Në një reagim në Facebook, Rama ka thënë se “qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit”.
“Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme. Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh”, ka shkruar Rama ndër të tjera.
E, përkudër dallimeve që dolën në pah sa i përket koalicioneve, Rama është zotuar se do ta përkrah LDK-në.
“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës!”.