Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ritheksuar nevojën për shtimin e forcave të NATO-s të cilët duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, duke shtuar se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, Rama tha se sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nuk duhet të konsiderohet si rast sporadik, por paralajmërim.
Ai theksoi se NATO duhet të jetë më e pranishme në Kosovë dhe të angazhojë më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë e Kosovës.
“Theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numër të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit”, tha Rama.
Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se do të shqyrtohet propozimi i kryeministri Rama për shtimin e trupave të KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi. /KosovaPress
Shqetësime për Kosovën, Stoltenberg thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e Ramës - KosovaPress