Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim në asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë 3 në Tiranë.
Në nisje të fjalës së tij, Rama vlerësoi rezultatet në këtë njësi, ku theksoi se është një rezultat me rritje dhe jo me rënie. Ai falënderoi socialistët për punën e bërë, duke shtuar se nga 12 qarqe të Shqipërisë, 10 janë në rritje, ndërsa vetëm 2 kanë pësuar rënie.
“Sot Partia Socialiste, ka barrën që të realizojë një mundësi që për herë të parë Shqipërisë i ka ardhur në dorë. Mendoj se në historinë tonë asnjëherë fati nuk i ka buzëqeshur shqiptarëve si tani”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se tani, nuk është vetëm Shqipëria që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe BE-ja dëshiron ta bëjë pjesë.Kreu i qeverisë vuri në dukje rëndësinë e procesit të integrimit dhe të institucioneve të forta, të cilat, sipas tij, do të garantojnë një demokraci të qëndrueshme në Shqipëri:
“Ndodh që Shqipëria merr një asikuracion demokratik, sepse bëhet një vend i BE-së ku pavarësisht e çfarë thonë njerëzit që ankohen për gjëra që nuk shkojnë, por harrojnë se sa shumë gjëra të tjera kanë falë atij mekanizmi. Është një vend me garanci për institucionet. Për këtë arsye është gjithë ky proces me drejtësinë, pasi janë institucionet që vendosin për njerëzit. Ne duhet të jemi të vetëdijshme për një gjë që na ka ardhur ne në dorë që ne të bëjmë histori këtu”, tha Rama.