Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli mbrëmë fitoren e partisë së tij për zgjedhjet e mbajtura të dielën, ku Partia Socialiste mori shumicën dërrmuese të bashkive. Ai foli për fitoren në Shkodër dhe humbjen në Himarë, derisa nuk la pa kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Bashkë me udhëheqësin e fushatës së tij elektorale, Endri Fuga, 24-orë pasi PS korri një tjetër rekord elektoral në zgjedhjet lokale të 14 majit, Rama tha se do të angazhohen si asnjëherë më parë për të qëndruar përballë sfidës së marrë nga besimi i madh i qytetarëve.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo... Tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne do të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”, tha Rama.
Sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryeministri shqiptar fajësoi KQZ-në për vonesa.
Ai paralajmëroi një tur falënderimesh në të gjithë Shqipërinë të cilin tha se do ta nisë nga Shkodra.
"Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nisë pas disa muajsh. Padiskutim, kjo nuk i heq asgjë angazhimit tim për Durrësin. Durrësi është një potencial strategjik i jashtëzakonshëm për Shqipërinë e 2030-tës”, tha ai.
Sa i përket arrestimit të kandidatit fitues të Himarës, Fredi Beleri, dhe reagimeve nga Greqia, Rama tha se nuk do të lejojë askënd që të përzihet në punën e drejtësisë. Derisa shtoi se mbetet të shihet se çfarë do të dalë nga procesi.
Në fund të konferencës për media, e cila zgjati rreth një orë, Rama bëri të ditur se nuk do të flas më për zgjedhje, pasi që siç tha ai, nuk dëshiron të qëndrojë në ballin e luftës politike.