Mbajtjen e Samitit të BE-Ballkani Perëndimor në Shqipëri, kryeministri shqiptar, Edi Rama e konsideron si vlerësim për vendin, i cili sipas tij është vendi më pro-evropian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në përmbyllje të punimeve të Samitit i cili për herë të parë është mbajtur në Tiranë, kryeministri Rama falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel p[r mbështetjen që po japin për Ballkanin Perëndimor.
Shefi i ekzekutivit shqiptar u shpreh se Samiti solli lajm të shkëlqyer për studentët, të cilët do të mund të studiojnë në universitet evropiane në mënyrë digjitale.
Ndërsa, lajm fantastik e ka konsideruar edhe mbështetjen e plotë që kanë marr për pasur në Tiranë Kampusin e Kolegjit të Evropë.
“Dua të them sot studentëve dhe të rinjve në vendin tonë se nga ky Samit ne vijmë me një lajm të shkëlqyer që jo vetëm universitetet tona do të jenë në gjendje të angazhohen në Erasmus +, por të përfshihen në Aleancën e Arsimit të lartë në Evropë dhe nga një moment i caktuar pasi të jenë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme studentët tanë fëmijët tanë mund të studiojnë prej këtej në çdo universitet evropian në mënyrë digjitale dhe universitet tona mund të nisin të lidhin aleanca e të rriten së bashku me universitaret evropiane. Kjo deri tash ishte e mundur vetëm po të ishte anëtar. Ashtu dhe një tjetër çështje e korsive të gjelbërta me Kroacinë, Italinë, Greqinë edhe kjo diçka e re dhe e shkëlqyer për transportin dhe tregtinë....Jo më pak është marrëveshja për romingun qytetarët tanë këtu e atje do të kenë mundësi që të kenë tarifa që janë shumë më të ulëta dhe që do të mundësojnë hyrjen në rrjetin e qytetarëve evropian”, u shpreh Rama.
Ai përmendi edhe mbështetjen buxhetore nga Bashkimi Evriopian në vlerë prej 35 milionë eurove për sektorin energjetik.
Madje ai këtë e lidhi me Kanun duke thënë se janë të gatshëm ta japin edhe jetën.
“Ne jemi mikpritësit sot, dhe iu thash që në Kanunin tonë në Kodin tonë të parë të shkruar shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut, por pa gjejeni sot kishim miq që në Shqipëri konsiderohen perëndi, perënditë e Bashkimit Evropian. U thash që Kodi është shumë i qartë duhet të përgatitësh të jesh gati të japësh jetën për mikun, kështu që ne jemi akoma gati por janë këtu larg qoftë ndodh diçka por jemi gati të japim jetën. Kurrë nuk do ta përdorja këtë moment për tu ankuar apo për ta kritikuar apo për të thënë gjëra që mund t’i them shumë më lehtë kur jam në Bruksel...jeta jonë është në dispozicioin tuaj ”, tha ai.
“Duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë nuk ka të bëjë me marrjen me vrap ajo çka ka ndodhur është historike sepse BE ndërkohë për krijon hapësira dhe mekanizma mbështetjeje që po na sjellin ne më pranë pa pritur që ne të jemi anëtar....Për herë të parë Ballkani shihet dhe trajtohet si një rajon gjeostrategjik dhe gjeopolitik për Bashkimin Evropian. Kur do të jemi anëtar një gjë është e sigurt ne Shqipëria dhe shqiptarët jemi besnik Bashkimit Evropian edhe nëse BE zhduket do të vazhdojmë të luftojmë të jemi anëtar edhe nëse jemi vetëm ne anëtar ne duhet të bëjmë përparime”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u mbajnë në Tiranë, është i pari që u zhvillua në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe kishte në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit./B.Ibishi/