Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot në një takim me përfaqësues të biznesit në Elbasan se lufta më e egër që sapo ka filluar në Evropë, është lufta për krahun e punës, të cilës "duhet t’i mbijetojmë".
“Takova Kancelarin gjerman ku i fola për çështjen e infermierëve më tha ‘të kuptoj shumë mirë por që Gjermania të jetë kjo që është duhet që deri në vitin 2030 të ketë 7 millionë plus krah pune prurje. Edhe Italia po flet për hapje dyersh për punëtorët. Në panairin e verës në Verona, ku Veneto ka një GDP-së 152 miliardë, është rajoni më i pasur dhe problemi më i madh është ikja e mjekëve dhe infermierëve. Spanjës sot i mungojnë 14 mijë mjekë. Është një spostim i madh prioritetesh drejt marrjes së njerëzve. Këtu ne duhet të mbijetojmë dhe duhet të kuptojmë që krahu i lirë i punës nuk duhet të jetë më”, tha Rama.
“Ndaj duhet të përshpejtojmë me rritjen e pagave. Do të ishte një aventurë që ne të rrisnim pagat jashtë mundësive. Se është si puna e shpenzimit jashtë mundësive në shtëpi. Ne jemi të tretët në rajon me pagën minimale, por njëri nga vendet sipër nesh e ka borxhin 102% dhe ka një problem para, rrugën si do ta financojë. Ne kemi bërë llogaritë jo vetëm të financojmë këtë angazhim kaq madhor por edhe ta rrisim më tej”, tha Rama.
Duke folur për rrogat e ushtrisë, Rama tha se “ushtria jonë ishte qameti i klubit të madh të NATO-s”.
Rama theksoi se do të vazhdojë rritja e pagave në shërbimin spitalor. “Kjo është domosdoshmëri”, tha ai.
Ndaj kryeministri theksoi se duhet të kemi aleancë shumë të qartë me biznesin.
Rama theksoi se qeveria rriti pagën minimale në 40 mijë lekë dhe synon që në vitin 2025 ta çojë në 45 mijë lekë.
“Jam i bindur se po nuk shkoi 60 mijë lekë paga minimale ne jemi duke luftuar kundër kohës dhe kjo është e tmerrshme. Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë. E filluam me 3300 euro sot jemi në 6400, por po nuk shkuam në 10 mijë euro për frymë nuk kemi të ardhura”, tha Rama, shkruan Atsh
“Në këtë përpjekje ne do të bëjmë çmos ta shtyjmë biznesin të vrapojë më shpejt. Rritja e pagave është një shtysë. Nuk do japim tenderë e leje ndërtimi për kompanitë që nuk kanë paga të caktuara”, shtoi ai.