Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama replikoi sot në distancë me një protestues, ndërsa u shpreh se “askush nuk kërkon mbyllje të debatit publik, por dhuna online dhe bullizimi i njerëzve në rrugë janë mbytje e debatit”.
Rama iu përgjigj komentit të Nertil Shulit, të cilin e vlerësoi për etikën, ndërsa e konsideroi një protestues atipik, i cili mendon ndryshe nga ai por nuk shan, nuk akuzon dhe nuk deliron online.
Lidhur me investimin në Sazan e Zvërnec, Rama tha se “qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve”.
“Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit, helmim i hapësirës publike dhe dhunim i lirisë së lëvizjes”, shtoi Rama.“Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama theksoi se të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cenim i sezonit turistik dhe ekonomisë.
“Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë”, sqaroi Rama, transmeton ATSH.