Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shprehur shqetësime për punimet që po zhvillohen nga Komuna e Prishtinës në hapësirën e Pallati i Rinisë dhe Sporteve, duke i cilësuar ato si ndërhyrje të kryera pa procedurat e nevojshme institucionale.
Në një konferencë për media, sekretari i ministrisë, Bislim Bislimi, tha se projekti “Ishulli Urban” është duke u realizuar pa pëlqimet përkatëse nga organet e trashëgimisë kulturore, çka sipas tij përbën shkelje të kornizës ligjore.
Sekretari i ministrisë ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se deklaratat e tij kanë krijuar keqkuptime dhe nuk pasqyrojnë saktë qëndrimin e institucioneve.
“Takimi i fundit është mbajtur më 21 maj 2026 në hapësirat e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, ku përgjegjësit e të dy palëve janë dakorduar që në mënyrë të domosdoshme nevojitet harmonizimi i tri projekteve. Ndërsa çuditërisht, në të njëjtën kohë sa zhvillohej takimi i profesionistëve me qëllim të gjetjes së zgjidhjes, kemi pasur në media kryetarin e komunës, zotëri Rama, i cili del me deklarata që nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës, kanë për qëllim hudhjen e një sërë dezinformatash në lidhje me rolin e Ministrisë së Kulturës dhe që shihet qartë se i njëjti nuk ka asnjë vullnet për të gjetur zgjidhje që projekti i ‘Ishullit Urban’ të realizohet në atë mënyrë që nuk do të dëmtonte asnjë projekt tjetër dhe po ashtu do të ishte brenda ligjeve në fuqi”, tha Bislimi.Në fund, ai u shpreh se Ministria e Kulturës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore janë të hapura për dialog me Komunën e Prishtinës, në mënyrë që projektet të përputhen me ligjin dhe kërkesat profesionale.
Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, në nëntor të vitit 2024, ka ndaluar zhvillimin e aktiviteteve ndërtimore nga Komuna e Prishtinës. Aktivitete pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në hapësirat përkatëse të aseteve në mbrojtje ligjore, përkatësisht brenda kufirit të monumentit Pallati i Rinisë dhe Sporteve si dhe brenda kufirit të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.