Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Agjencinë e Lajmeve KosovaPress në 25-vjetorin e themelimit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rama vlerësoi rolin e KosovaPress-it për informim të pavarur, teksa shtoi se kjo agjenci doli nga tymi i konfliktit para 25 viteve.
I pari i kryeqytetit foli edhe për rëndësinë e fjalës së lirë për të cilën tha se është burim jetik i gazetarisë, por që sipas tij roli i saj mund të jetë i dyanshëm.
Rama tha se fjala e lirë mundëson që të shpërfaqen ankesat dhe në të njejtën kohë të mbahet pushteti përgjegjës për veprimet e tij, por në rast se ajo përdoret për qëllime dashakeqe, ajo mund të kthehet në nxitje të urrejtjes.
Ndryshe, nesër Agjencia e Lajmeve KosovaPress do të jetë nikoqire e konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të saj.
Kjo konferencë do të bashkojë në kryeqytetin tonë më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani. Anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SEE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar, do të jenë të pranishme në këtë aktivitet.
Konferenca do të ketë dy panele, ku gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje gjatë dy paneleve dhe gjatë konferencës.
Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.
Ky panel do të shqyrtojë çështje kritike si dezinformimi, përparimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmërinë financiare të agjencive të lajmeve në peizazhin e botës bashkëkohore mediatike.
Ndërkaq në pjesën e dytë të konferencës, fjalë rasti do te ketë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kosovapress-it, Suzana Rakovica.
Konferenca mbahet duke filluar nga ora 10:00, në hotel “Emerald”, Prishtinë.