Në forumin “Prishtina 2030: Mundësitë e rritjes së biznesit dhe zhvillimit ekonomik përmes Lojërave Mesdhetare”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi potencialin e Lojërave Mesdhetare për të transformuar qytetin dhe për të rritur vlerat shoqërore e ekonomike.
Sipas njoftimit, gjatë forumit, kryetari Rama nënvizoi se këto lojëra do të sjellin investime të reja, rritje të turizmit dhe do të fuqizojnë pozicionin e Prishtinës si një qendër rajonale për biznes dhe inovacion.
Oda Amerikane prezantoi një anketë të kryer me anëtarët e saj, e cila gjeti se fushat kritike të ndërhyrjes janë përmirësimet në transport, objektet sportive dhe infrastrukturën digjitale, me disa kompani që shprehën gatishmëri për të kontribuar në këto fusha.
Gjysma e të anketuarve u shprehën të interesuar në projektet për teknologjinë e qyteteve inteligjente (Smart Cities), derisa sfidat kryesore përfshinin mungesën e informatave dhe mundësive të bashkëpunimit.Ai shprehu besimin se energjia pozitive e Prishtinës dhe interesimi i investitorëve mund të konvertohen në mundësi reale zhvillimi, nëse ka një koordinim të mirë mes sektorit publik dhe privat.
Në përfundim, diskutimi nxori në pah se me një strategji të qartë dhe angazhim të përbashkët, Prishtina ka potencialin për të qenë një lider në rajon, duke krijuar një ambient të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.