Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhjen e sotme të kuvendit, ka arsyetuar propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, i cili tha se aspekti i shfuqizimit është si rezultat i vendimit të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ka shpallur të pavlefshëm Planin Rregullues.
“Është kërkesë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës-së. Ne duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë se çka i nevojitet kësaj lagje me koeficientin 2.4. Ne po mundohemi të bëjmë Planin legal, sepse për momentin është e jashtëligjshme”, tha ai.
Derisa në sallë po shqyrtohet kjo pikë janë futur edhe protestuesit, banorët e lagjes “Kalabria”, të cilët po kundërshtojnë shfuqizimin e Planit rregullues.
Ndërsa, në shenjë pakënaqësie për shfuqizimin e këtij Plani, VV, AAK dhe AKR, kanë lëshuar mbledhjen.
Për këtë pikë të rendit të ditë ai tha se nuk do të qëndrojnë në sallë.
“Nëse ne sot votojmë këtë , rrezikojmë të bllokojnë zhvillimin e kësaj lagje të qytetit, rrugën ‘A’. Ne kërkojmë që mos të votohet. Prandaj, ne e lëshojmë mbledhjen”, tha ai.
Sami Boroci nga AKR tha se nuk e mbështesin shfuqizimin e këtij plani për “Kalabrinë”, sepse siç tha ai nuk ka asnjë logjikë me votuar sot diçka të tillë.
“Edhe ne si grup e lëshojmë sallën. Nuk ka asnjë logjik me shfuqizuar këtë plan”, tha ai.
Ndërkaq, disa përfaqësues të lagjes “Kalabria”, që ishin brenda mbledhjes, ngritën zërin para asamblistëve që mos ta votojnë propozimin e komunës për anulimin e Planit të punës.
Kuvendi mori pauzë deri në orën 13:00, ku pritet të hidhet në votim ky propozim.