Raiffeisen Bank shënon 20-vjetorin me diskutime për tranzicionin në ekonominë e gjelbër
Biznes
Lexohet për: 8 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në 20-vjetorin e operimit të saj në tregun financiar në Kosovë, Banka Raiffeisen sot ka organizuar Samitin dy ditor “Ambienti, Shoqëria dhe Qeverisja”, të përqendruar në temën “Tranzicioni në ekonominë e gjelbër”.

Në kuadër të këtij Samiti përmes paneleve është diskutuar lidhur me aspekte të ndryshme të promovimit të qëndrueshmërisë, adresimit të ndryshimeve klimatike dhe mobilizimin e burimeve për të mbështetur nismat e gjelbra.

Kryeshefja ekzekutive e Raiffeisen Bank në Kosovë, Anita Kovacic u shpreh se në vitet e fundit si bankë janë fokusuar në ndikimin që ka portofoli i bankës në ruajtjen e mjedisit dhe ekonomisë qarkore.

Sipas saj, së bashku mund të nxiten ndryshime pozitive dhe t’i hapet rrugë një të ardhme më të gjelbër.

“Raiffeisen Bank këtë vit shënon 20 vjetorin e saj në Kosovë. Ky ka qenë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, të cilin jemi përpjekur ta përshkruajmë me një slogan të thjeshtë: Mbështetje. Përgjegjësi. Inovacion... Posaçërisht gjatë viteve të fundit, ne jemi fokusuar intensivisht në ndikimin që ka portofoli i bankës në ruajtjen e mjedisit dhe ekonomisë qarkore. Ne besojmë se së bashku mund të nxisim ndryshime pozitive dhe të hapim rrugën për një të ardhme më të gjelbër. Shpresoj se kjo ngjarje do të kontribuojë në eksplorimin e sfidave dhe mundësive të tranzicionit në një ekonomi më të qëndrueshme dhe miqësore me klimën në Kosovë. Shpresoj që të shërbejë si një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis palëve të interesuara nga institucionet qeveritare, organizatat e sektorit privat, institucionet financiare dhe shoqëria civile”, tha ajo.

Anëtarja e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Nora Latifi - Jashari teksa ka uruar 20-vjetorin e Raiffeisen Bank u shpreh se BQK po punon në hartimin e një strategjie e cila do të përmbajë kërkesa mbikëqyrëse për menaxhimin e rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike dhe mjedisore.

Latifi- Jashari u shpreh optimiste se sektori financiar në Kosovë ka kapacitete të mjaftueshme për të kontribuar në këtë tranzicion drejt ekonomisë së gjelbër.

“Në kuadër të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Sofjes në Nëntor të vitit 2020, Kosova ka shprehur përkushtimin e saj për të përkrahur Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor… Sektori bankar paraqet komponentin kryesor të sistemit financiar të Kosovës dhe ka një rol të rëndësishëm në tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër. Është detyre e BQK-se, si autoritet mbikëqyrës, të sigurojë që bankat nën mbikëqyrjen e saj t'i adresojnë këto rreziqe në mënyrë adekuate. Ne besojmë se sektori financiar në Kosovë ka kapacitetet e mjaftueshme për të absorbuar reformat e nevojshme dhe për të kontribuar në këtë tranzicion drejt ekonomisë së gjelbër”, u shpreh Latifi-Jashari.

Në kuadër të Samitit “Ambienti, Shoqëria dhe Qeverisja”, me  temën “Tranzicioni në ekonominë e gjelbër” përmes paneleve diskutuese u fol për ndikimin që kreditë bankare kanë në mbrojtjen e ambientit dhe në ekonominë qarkore.

Drejtori i Bankës  Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë, Sergiy Maslichenko theksoi se për BERZH-in është kyçe të mbështesin qeverinë, bizneset dhe popullin e Kosovës që të jenë të gjelbra.

Teksa ka folur për investimet që kjo bankë në fushën energjisë së ripërtritshme, Maslichenko theksoi se qeveria duhet të jetë më e guximshme në drejtim të lansimit të ankandeve të tjera.

“Kemi caktuar 33 milionë euro për Kosovën për financimin e 1500 shtëpive me fokus në energjinë e riprtritshme, pra çdo projekt i tretë ka të bëjë me energjinë e ripërtritshme qoftë për panelet solare, pompat termike, përdorimi i biomasës. Sa i përket konkurrencës kemi arritur shumë kemi financuar me kredi dhe projekte për energjinë e ripërtritshme, pra  5 milionë është shuma për 50 projekte...Tash e 6 vite jemi të përfshirë në mbështetjen e qeverisë në rregullatorëve për kornizat e ndryshme për energjinë e ripërtritshme, tarifa ka qenë e përshtatshme për të financuar dy projekte të mëdha, po ashtu kemi lansuar një program të ri mbështetës. Mbështesim qeverinë me ankandet shohim që ka interes nga investitorët e huaj  dhe qeveria duhet të jetë më e guximshme dhe të bëjë më shumë. Qeveria duhet të lëvizë më shpejt në këtë drejtim që të lansoj edhe një ankand tjetër për t’u mundësuar zhvilluesve që të përdorin tokën. Si BERZH jemi të gatshëm për të mbështetur më shumë qeverinë, bizneset e bankat komerciale e popullatën konsulentët janë të gatshëm për këto ankande”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i e Zyrës së Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Selim Thaçi tha se adresimi i ndryshimeve klimatike dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm janë prioritete urgjente që kërkojnë përpjekje e bashkëpunim.

Sipas tij  FMN financimin e gjelbër e ka vënë lartë në agjendën e saj dhe tashmë ka një instrument të ri të financimit prej të cilit përfitues është edhe Kosova.

“FMN financimin e gjelbër e ka vë shumë lartë në agjendën e saj sa i përket pjesë së monitorimit si dhe në pjesën e financimit që i bënë vendeve anëtare në këtë institucion. Për këtë qëllim gjatë vitit 2022 FMN ka krijuar një instrument të ri e cila për fokus ka financimin e projekteve të cilat për bazë e kanë energjinë e ripërtritshme, i cili fond deri më tani ka një kërkesë të madhe nga të gjitha vendet anëtare të përfitojnë përmes këtij instrumenti....Në këtë rrafsh Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka përfituar këtij instrumenti dhe Bordi i FMN më 25 maj ka aprovuar marrëveshjen  e ARSF e cila siguron një financim rreth 80 milionë eurove e cila ka për fokus energjinë e ripërtritshme”, tha ai.

Në këtë Samit të ESG-ve i pranishëm ishte edhe zëvendësministri për Ekonomi, Getoar Mjeku i cili deklaroi se strategjia për energji do të hap rrugë drejt trancizionit të gjelbër dhe transformimit energjetik që deri në vitin 2031.

Sipas tij, sistemi energjetik në Kosovë vazhdon të jetë i brishtë, derisa theksoi se deri në vitin 2050 synojnë neutralitetin e karbonit.

“Kosova synon të zbatoj strategjinë e energjisë në përputhje me marrëveshjen e Sofias dhe planit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor edhe gradualisht të shkoj  drejt  neutralitetit ë karbonit deri vitin 2050. Me këtë trilemen e strategjisë se energjisë ne do të zgjedhim mjetet me i arrit qëllimet dhe përqendrimi ynë do të jetë aty ku janë mangësitë më të mëdha, pra tek burimet e ripërtritshme të cilat ende nuk janë të mjaftueshme në raport me nevojat dhe efiçienca e energjisë.  Me strategjinë synojmë me pas 1300 MGW kapacitete të reja në tërësi  1600 brenda vitit 2031 duke arritur  deri 35% të përbërjes së konsumit të përgjithshëm prej burimeve të ripërtritshme. Për t’i shtyrë përpara këto burime ne po përmbyllin ligjin për burime të ripërtritshme për herë të parë në Kosovë, por po punojmë edhe një projekte  konkrete veçanërisht në ankadin për park 100 MGW diellor që do të jetë i hapur deri në fund të kësaj vere”, tha ai.

Drejtori menaxhues i Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha tha se investimet strategjike janë segment strategjik për Fondin.

Sipas tij tashmë kanë lansuar edhe dritaren GROW që synon stimulimin e investimeve në ekonominë e gjelbër.

“Investimet e gjelbra është njëra nga segmentet strategjike të definuar dhe të identifikuar si nga donatorët ashtu edhe nga Bordi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditor. Vitin e kaluar kemi lansuar dritaren GROW. Dritarja GROW ka të bëjë me ndarjen e riskut kreditor në bankat partnere me qëllim të stimuloj investimet e gjelbra. Kemi filluar  ta pilotojmë këtë dritare në qershor të vitit 2021 ndërsa tani jemi në proces të partneritetit për këtë dritare edhe me dy bankat tjera financiare deri në fund të vitit planifikohet që të gjitha bankat me të cilat kemi partneritet të kemi marrëveshjet e garancisë për t’i mundësuar ndarjen e rrezikut kreditor për investimet e gjelbra”, theksoi ai. 

Në ditën e parë të Samitit “Ambienti, Shoqëria dhe Qeverisja”, përfaqësuesit e Raiffeisen Bank shprehën gatishmërinë që si subjekt bankar 10% të portofolios së tyre ta financojnë në projektet e energjisë së ripertritshme.

Banka Raiffeisen në Kosovë është degë e Raiffeisen Bank International AG (RBI). RBI erdhi në Kosovë në fund të vitit 2002 duke blerë pjesën më të madhe të aksioneve të Bankës Amerikane të Kosovës. Në qershor të vitit 2003, Banka u riemërtua si Banka Raiffeisen në Kosovë./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024