Në Qendrën Kulturore "Mensur Zyberaj", sot u kujtuan katër dëshmorët që kanë rënë më 27 janar të vitit 1990.
Komuna e Rahovecit organizoi manifestimin përkujtimor në nderim të dëshmorëve, Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. Aty u tha se historikisht, muaji janar skuqi me gjak tokën shqiptare për liri dhe çlirim.
"Në periudha te ndryshme historike, janari është muaji që skuqi me gjak të pastër tokën shqiptare. Ai na i kujton Skënderbeun, frymëzimin, epokën e Ismail Qemalit qe shpalli pavarësinë në Vlorë, e rolin e madh. Rezistenca e shqiptarëve, përkundër gjithë kësaj vazhdoi, armiqtë tanë nuk lanë gur pa lëvizur që të na vrasin e të na ndalin, të në frikësojnë që ne të nënshtrohemi, ai organizoi kurthe, e nuk la gjë pa bërë qe te shuhet zjarri liridashës për ta dëmtuar rezistencën tonë", u shpreh Latifi.
Në këtë akademi përkujtimore, i pari i Rahovecit shtoi se rruga e lirisë i kushtoi edhe katër dëshmorëve që ranë me 27 janar të vitit 1990.
Ish-veprimtari, Dervish Çadraku tha se janari kujton sakrificën sublime të burrave dhe grave nga Kosova.
"As vrasjet dhe as burgosjet me shumë vite burg, nuk do të shuanin dëshirën për luftën për liri. Sa më të përgjakshme që ishin rëniet, aq më të vrullshme ishin ngritjet. Ky vrull rinor do të shpërndahej edhe me 27 janar të vitit 1990, kur karvani me Nesimi Elshanin në ballë u nis nga Celina, Krusha e Madhe, Hoça e Vogël, Brestovci me qëllim për tu bashkuar me protestuesit benda në qytetin e Rahovecit dhe pse duar thatë e pa ju trembur syri ata vuan gjoksat përballë tytave te milicisë serbe", u shpreh ai.