Në margjina të Forumit Ekonomik B2B që mbahet nesër në Prishtinë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka pritur sot në takim një delegacion nga Arabia Saudite, i përbërë nga Federata e Odave Ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve të këtij vendi.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Federata e Odave Ekonomike nga Arabia Saudite organizojnë të enjten Forumin Ekonomik B2B më të madh në mes të dy vendeve, duke filluar nga ora 09:30.
Pjesë e delegacionit nga Arabia Saudite, do të jenë mbi 50 top biznese nga sektorë të ndryshëm, të cilët do të shikojnë mundësitë e investimit dhe partneriteteve të biznesit në Kosovë.
Sektorët në këtë forum janë: IT dhe trajnime, hotelieri dhe shërbime të turizmit, patundshmëri, prodhim dhe përpunim i plastikës, gastronomi, shëndetësi, prodhim dhe përpunim i ushqimit, logjistikë, prodhim nafte dhe gazi, edukim dhe automobilistikë.
Sipas kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna kjo është një mundësi unike për të sjellë investime të huaja në vendin tonë.
“Është një mundësi unike për të bashkëpunuar. Kosova ka biznese, të cilat janë të lakmuara prej të gjithë Evropës për të bashkëpunuar me biznese tona. Jemi një popullatë me moshë shumë të re, një vend me taksat më të ulëta në rajon, me tregun evropian, i cili është 500 milionë konsumatorë, nuk e kemi asnjë tatim përveç tatimit të vlerës së shtuar. Po ashtu, me vendet e rajonit nuk kemi asnjë tatim përveç tatimit të vlerës së shtuar. Me Turqinë vitin e ardhëm e sjellim në zero për shkak të marrëveshjes që kemi,” tha Rafuna.
Ndërsa, presidenti i Odës Ekonomike në Arabinë Saudite, Hassan Al-Huwaizi organizimin e Forumit Ekonomik e sheh si një shtytje të fuqishme drejt thellimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe mundësisë për investime. Ai gjithashtu shprehet se i lumtur kur sheh se ka investues kosovarë në Arabinë Saudite.
“Jemi shumë të lumtur që kemi ardhur në Kosovë, për të parë mundësitë e investimeve këtu. Shpresoj që prej këtyre takimeve të ketë edhe fryte me bashkëpunim, me të gjithë afaristët te ne dhe te ju. Gëzohemi kur shohim që ka investitorë kosovarë në Arabinë Saudite,” u shpreh ai.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.