Rafuna: Për të pasur qëndrueshmëri ekonomike, qeveria të jetë në koordinim me ShBA-të
Lexohet për: 4 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua
Ngecjet në reformat e sistemit të arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, investimet e pakta të huaja, si dhe çështjet e hapura me Serbinë, janë disa nga faktorët që vazhdojnë të ndikojnë negativisht në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Për 16 vjet shtet, Kosova vazhdon të ballafaqohet me problemin e sigurisë, që ka impakt negativ për tërheqjen e investimeve të huaja.
Kështu vlerëson, kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna, i cili thotë se shteti i Kosovës duhet të jetë më serioz me institucionet e Bashkimit Evropian krahas marrëveshjeve, në mënyrë që të promovohet më shumë vendi ynë.
Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës të jetë në koordinim me ShBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian për çdo vendim të rëndësishëm për vendin.
Përveç këtyre sfidave, Rafuna konsideron se ka edhe zhvillime në vend, duke shtuar se për këtë meritorë janë bizneset, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt që të ketë zhvillim.
Rafuna në një intervistë për KosovaPress, kërkon nga institucionet shtetërore që të veprojnë me një ritëm me të shpejtë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, pasi që sipas tij kjo po ndikon që ekonomia të mbetet prapa.
“Ngecje më së shumti kemi sa i përket reformave. Nuk jemi duke bërë reforma në koherencë me zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale që po ndodhin jo vetëm brenda vendit tonë dhe rajonit, por që po ndodhin edhe në vendet e BE-së e më gjerë. Kemi nevojë shumë urgjente të bëjmë reformë në sistemin arsimor që me i lidhë më kërkesat e tregut të punës. Kemi nevojë të bëjmë reformë dhe zhvillim në sistemin e shëndetësisë, më pas në sistemin e drejtësisë. Ngecjet tjera, që ndikon drejtpërdrejt në sektorin privat është sa i përket dinamikës së sjelljes së investimeve të huaja në Kosovë, këtu kemi ngecje, dhe na del si sfidë e parë, çështjet e hapura që i kemi me Serbinë. Kështu ne duhet sa më shpejtë që është e mundur t’i mbyllim çështjet e hapura që i kemi me Serbinë, për arsyeje se do të zhvillohemi më një ritëm shumë më të shpejtë dhe do të jemi në nivel tjetër nëse e arrijmë këtë”, deklaron Rafuna.
Ndërsa, thotë se politika e vendit duhet të jetë në koordinim me ShBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian, në këtë formë siç thotë ai, Kosova mund të ecë përpara me zhvillim ekonomik.
Ndërsa, Rafuna numëron edhe të arriturat për gjatë 16 viteve shtet. Sipas tij, kontribuuesi më i madh në këto suksese janë bizneset.
Duke folur për zhvillimin e ekonomisë në vend, ai thotë se institucionet përgjegjëse duhet të jenë më të përgjegjshme në ekzekutimin e projekteve kapitale, duke shtuar se duhet të dëshmohet që si vend jemi stabil dhe kemi një ambient të mirë të të bërit biznes.
Ndërsa, shprehet optimist se më të arritur këto, ekonomia e Kosovës do të zhvillohet e përmirësohet dukshëm.
Ndërsa rithekson se duhet punuar më shumë me ShBA-të, Kanadanë, Zelandën e re në mënyrë që në Kosovë të ketë sa më shumë investime të tyre, e po ashtu edhe të gjinden tregje të reja.
Derisa, sfidë për Kosovën mbeten edhe masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian tash e tetë muaj, nga të cilat vendi ka humbur dhjetëra miliona euro. Kjo ndodhi nga mos përmbushja e kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në veri.