Radev: Maqedonia e Veriut ende nuk është larguar nga retorika parazgjedhore
Ballkani
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev tha sot se pret që dëshira për dialog e shprehur nga homologia e tij e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, të bëhet një politikë konsistente.

“Ne presim që Republika e Maqedonisë së Veriut t'i përmbushë të gjitha zotimet që ka bërë ndaj nesh në baza bilaterale dhe ndaj Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mund të ndërtojmë plotësisht marrëdhëniet tona”, tha Radev para takimit të tij me presidenten e Maqedonisë së Veriut Siljanovska-Davkova.

Kjo e fundit ndodhet në Bullgari për turneun në Sofje të operës dhe baletit kombëtar të Shkupit, i cili do të interpretojë “Nabucco” të Verdit në Operën dhe Baletin e Sofjes.

Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk është larguar nga retorika parazgjedhore.

“Le të qetësohen pasionet dhe të kthehen në realizëm, dhe ai [realizmi] është shumë i qartë – marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të ndërtohen në bazë të marrëveshjeve dhe konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian”, tha Radev.

Ai theksoi se muzika dhe kultura janë sfera që i afrojnë njerëzit dhe Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria pret që ky dialog jo vetëm të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin, por edhe të zgjidh përfundimisht çështjet e hapura mes nesh”, tha Radev.

Ai komentoi se angazhimi i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut me Korridorin 8 të Transportit do të jetë tregues i qartë i ambicieve reale evropiane të Shkupit për më shumë lidhje dhe siguri në rajon. /BTA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024