Ditëve të fundit në vendin tonë janë shtuar rastet e reja dhe ato aktive me koronavirus.
Në 24 orët e fundit nga 267 testime, 52 qytetarë kanë rezultuar pozitive, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 250.
Nga ana e tyre, qytetarët shprehen të ndarë sa i përket vendosjes së masave antiCOVID-19. Një pjesë e tyre mbështesin vendosjen e masave, por ka edhe prej atyre që shprehen kundër.
Fanol Sadiku thotë për KosovaPress se me rritjen e rasteve të reja COVID-19, Ministria e Shëndetësisë duhet ndërmarrë masa, ndërsa ka apeluar të gjithë që të vaksinohen si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksioni i rrezikshëm.
Edhe qytetari tjetër Riza Syla thotë se pajtohet me ndërmarrjen e masave të reja kundërCOVID-19 për shkak të rritjes së numrit të rasteve.
“Ata munden me marrë masa, veç kjo është flamë e përgjithshme”, tha ai.
“Duhet të kenë kujdes të gjithë, të mbrohemi të gjithë prej kësaj sëmundje... Duhen masa, por jo edhe aq të rrepta sikurse kanë qenë përpara”, tha ai.
Ndërkohë që ka edhe prej atyre qytetarëve, të cilat e konsiderojnë të panevojshme vendosjen e masave të reja antiCOVID-19, pavarësisht shtimit të rasteve të reja. Orland Beselica është njëri prej tyre, i cili nuk e sheh të nevojshëm që Ministria e Shëndetësisë të merr masa.
Edhe Zahir Bekteshi shprehet kundër rishikimit të masave të reja dhe bartjes së maskave.
“Në qoftë se rritet numri tepër i madh ka nevojë, por në qoftë se jo s’ka nevojë. Mirëpo, momentalisht nuk ka nevojë, janë rastet shumë të ulëta. Unë nuk kisha preferuar të merren masa...Duhet të vaksinohen të gjithë, prej moshës 4-vjeçare e tutje, të gjithë duhet vaksinuar”, tha ai.