Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu është shprehur se kjo është java përfundimtare për të zgjidhur çështjen e presidentit të vendit dhe sipas saj, nëse ka vullnet mund të përfundoj brenda një periudhe të shkurtër.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu theksoi po ashtu se është e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që sipas saj, qytetetarët nuk i duan ato në këtë moment.
Megjithatë, ajo shtoi se javë që vjen është vendimtare, dhe siç u shpreh ajo “nëse ka vullnet mund të përfundoj brenda pak orësh”.
“Kjo javë është java vendimtare, uroj që të nis me takime ndërmjet partive politike. Unë mirëpres çfarëdo kontributi të partive politike, grupeve parlamentare në raport me çështjen e zgjedhjes së presidentit, për faktin se nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, por në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, tha Haxhiu.“I ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën që kemi para nesh ta shfrytëzojmë me takime, të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit. Unë nuk jam përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takim. Takimet po ftohen nga kryeministri Albin Kurti, si kryetar i partisë, si kryeministër dhe si dikush që i ka mbi 50 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht 66 me koalicionin që është bashkërisht”, u shpreh ajo.
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.