Mësohet se është një numër i madh i ankesave të qytetarëve në KESCO për faturat e larta të energjisë elektrike, ndonëse nga KESCO nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me numrin e ankesave dhe natyrën e tyre. Ndërsa, Zyra e Rregullatorit për Energji për muajin dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar 57 ankesa.
Qytetarët janë shprehur të mllefosur për faturat e muajit të fundit 2023. Sipas tyre, të njëjtat fatura nuk kanë ardhur në mënyrë të drejtë, pasi siç thonë ata, nuk kanë konsumuar energji elektrike për shumën e faturuar.
Qytetarja Xhevrie Saliuka shprehet e mllefosur me shumën e lartë të faturës së rrymës për dhjetor. Ajo paralajmëron ankesë në KESCO për shkak se, siç thotë ajo, nuk ka konsumuar energji elektrike aq sa i është faturuar. Sipas saj, 100 euro shtesë që ka ndarë Qeveria ‘janë të njëjtat që duhet t'i paguajnë faturat’.
Edhe qytetari tjetër Ladi Murraj ankohet se çmimet e rrymës gjatë muajit dhjetor kanë qenë të larta. Ai teksa ishte duke pritur te KESCO, thotë se gruaja e tij kishte hyrë për të paguar dhe për të kërkuar sqarime, pasi sipas tij, çmimi është i lartë.
Ndërkaq, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë bërë të ditur se numri i ankesave për faturat e muajit dhjetor të vitit të kaluar është gjithsej 57.
Po ashtu kanë sqaruar se cilat janë procedurat dhe ankesat. Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se konsumatorët duhet ta marrin përgjigjen nga KESCO e pastaj të drejtohen në ZRRE.
Të njëjtit shtojnë se do të shqyrtojnë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat e parapara në procedurën për çështjen e ankesave në sektorin e energjisë.
"Pas pranimit të përgjigjes nga furnizuesi, konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtojë çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë. Çmimet e aplikuara janë ato të cilat janë vendosur nga Bordi i ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...