Qendra për Punë Sociale në Lipjan tashmë ka marr nën përkujdesje edhe fëmijët tjerë të dy prindërve të cilët u arrestuan pas dyshimit për keqtrajtim të fëmijës së tyre 5-vjeçar i cili është duke marr trajtim mjekësor në Kujdesin Intenziv Pediatrik pranë Klinikës së Pediatrisë.
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli tha se institucioni ka vepruar sipas kompetencave ligjore duke ndërhyrë menjëherë në rastet kur ka pasur rrezik për fëmijët.
“Qendra për Punë Sociale ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe mandatin për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve duke ndërhyrë pa vonesë në situatë ku është vlerësuar se ekziston rreziku i menjëhershëm për zhvillimin dhe integritetin e fëmijëve. Në të njëjtën kohë janë ndërmarrë masat, përfshirë largimin e përkohshëm të fëmijëve nga familja, janë zbatuar si masa mbrojtëse emergjente. Dhe normalisht të bazuara domethënë në vlerësimin profesional, multidisiplinor, duke pasur parasysh gjithherë domethënë interesin më të mirë të fëmijëve”, tha ajo.
Shamolli duke mos treguar se sa fëmijë tjerë nga marr nën mbikëqyrje të QPS-së tha se me rastin po merret organet hetimore dhe nuk mund të ndaj më shumë informacione.
“Për shkak të sigurisë, normal, domethënë institucionale dhe juridike, rasti është referuar, është në trajtim në organet kompetente të drejtësisë. Qendra sigurisht që mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të plotë ndërinstitucional me të gjithë aktorët relevantë, duke siguruar domethënë informacion, përputhje me legjislacionin në fuqi, statutin e mbrojtjes së fëmijëve dhe duke respektuar privatësinë dhe rolin e secilit institucion”, u shpreh Shamolli.
Ndërsa, i mituri nga Lipjani ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndyshime të theksuara gangrenoze dhe dyshohet edhe për kequshqyerje. Po ashtu nga QKUK për KosovaPress kanë deklaruar se i mituri tahsmë po vazhdon trajtimin në Kujdesin Intenziv Pediatrik ku krahas konsultave mjekësore me kirurgë vaskular e pediatër është konsultuar edhe me psikologë. Ky rast ka qenë i evidentuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.