Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që mos t’i injorojë sa i përket konsultimeve në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19.
Nëpërmjet një njoftimi në “facebook” AKK thotë se komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë kryetarin që është zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla.
QEVERI MOS I INJORONI KOMUNAT
Qeveria e Republikës së Kosovës përsëri i anashkaloi apo më mirë të themi i injoroi edhe një herë komunat e Republikës së Kosovës (për të disatën herë radhazi) sa i përket konsultave rreth situatës me pandemi COVID 19, duke mos e ftuar Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) si anëtar të Komitetit Anti COVID 19.
Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë sepse numri i rasteve me COVID 19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm.
Komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë KRYETARIN që është zgjedhur me votë të drejpërdrejtë, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla.
Si gjithnjë, edhe këtë herë komunat kërkojnë qasje konstruktive nga Qeveria e Republikës së Kosovës kundruall nivelit lokal. AKK është rikthyer në këtë komitet me vendim të ish ministrit Arben Vitia.